• Shqip
  • English
  • E martë, 21 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Kosova Të gjitha

    Rexhep Qosja akuzon: Në Kosovë mbizotëron ideologjia serbe


    Profesor Rexhep Qosja mendon se Kosova dhe Shqipëria duhet t’u përgjigjen deklaratave të ditëve të fundit të lëshuara nga zyrtarët e lartë serbë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Qosja i referohet Edi Ramës kur tha se nëse Bashkimi Europian nuk do të integrojë Shqipërinë, atëherë kjo e fundit do të jetë e detyruar të bashkohet me Kosovën. E mbështetur edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kjo deklaratë u quajt si populiste nga kryeministri Isa Mustafa. “Do të isha më i lumtur sikur Edi Rama dhe Hashim Thaçi të kishin deklaruar se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen jo vetëm në qoftë se stërzgjatet integrimi i tyre në Bashkimin Evropian, por edhe në qoftëse integrohen në këtë Bashkim. Kryeministri i Kosovës e quajti të nevojshme që menjëherë t’u përgjigjet edhe Edi Ramës edhe Hashim Thaçit duke thënë: deklarata e Kryeministrit të Shqipërisë ishte një deklaratë populiste! Kosova mund të bashkohet vetëm me Bashkimin Evropian”, shkruan profesor Qosja.

    Më pas ai i referohet deklaratave të kryeministrit të Serbisë dhe Ministrit të Jashtëm, të cilët thanë se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm me luftë. Ai argumenton se deklaratat e zyrtarëve serbë janë anti-shqiptare dhe si të tilla duhet të merrnin përgjigje nga institucionet kosovare. “Të njëjtën ditë kur kryeministri i Kosovës deklaroi siç deklaroi, zëdhënësi i mbipërkushtuar i kryetarit të porsazgjedhur të Serbisë dhe njëkohësisht kryeministër i Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, Aleksandër Vulin, iu përgjigj Edi Ramës dhe rrjedhimisht Hashim Thaçit duke thënë: Edi Rama po rrezikon paqen në rajon! Shqipëria dhe Kosova mund të bashkohen vetëm me luftë (me Serbinë)! Me këtë deklaratë të zëdhënësit të tij të mbipërkushtuar, kryetari dhe kryeministri i Serbisë Vuçiq e ka thënë shkoqur se: Kosova, me gjuhën e tij e quajtur, Kosova dhe Metohija, është pjesë e Serbisë, nën sovranitetin serb, prandaj po u provua bashkimi i saj me Shqipërinë Serbia do të bëjë luftë! Ndonjë ditë më vonë deklaratën e Aleksandër Vulinit, në të vërtetë të Aleksandër Vuçiqit, e fuqizoi edhe ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq!”

    Rexhep Qosja mendon se në institucionet e larta të Kosovës mbizotëron ende ideologjia serbe, edhe kur vjen puna te bashkimi me Shqipërinë. “Si të marrë përgjigje kur në institucionet më të larta të Kosovës kemi edhe zyrtarë, në politikën dhe në ideologjinë e të cilëve ende është e përmbajtur ideologjia e Serbisë dhe e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë, prandaj edhe ndaj çdo ideje të bashkimit të saj me Kosovën! Këtyre njerëzve u duhet kohë jo për t’u çliruar prej sentimentalizmit jugosllavist po prej politikës dhe ideologjisë kundërshqipëri të Serbisë dhe Jugosllavisë”, përfundon profesor Qosja./Tiranapost.al