Aktualitet

Revoltohet regjisori Saimir Kumbaro: Po na trajtojnë si kriminelë

“Po na trajtojnë si armiq por ne nuk kemi bërë asnjë krim. Çfarë krimi paskam bërë unë që kam realizuar filmin “Rrethimi i vogël” apo “Koncert në vitin ’36”?!

Debati i fundit për ndalimin e filmave shqiptarë, e bën të ndihet keq Saimir Kumbaron. Dhe me të drejtë. Ka qenë pjesë e Kinostudios që në vitet ’70 dhe 12 filma artistikë mbajnë firmën e tij si regjisor. Sot gjatë një interviste për gazetën Panorama, Saimir Kumbaro është shprehur jo pak i indinjuar lidhur me propozimin e fundit për t’i censuruar filmat shqiptarë e kohës së diktaturës. “Po na trajtojnë si armiq dhe po na duket vetja si pjesë e procesit të dekriminalizimit, por ne nuk kemi bërë asnjë krim. Çfarë krimi paskam bërë unë që kam realizuar filmin “Rrethimi i vogël” apo “Koncert në vitin ’36”?! Këtu nuk kanë kërkuar ndjesë udhëheqësit në diktaturë, ndërkohë po na trajtojnë ne si kriminelë”, duke theksuar se kjo është një fyerje për të gjithë plejadën e aktorëve, regjisorëve, skenaristëve dhe operatorëve të cilët me përkushtim i dhuruan publikut shqiptar një ndër të paktat kënaqësi, në atë kohë kur shumë pak kishte për t’u gëzuar.

“Ideologjia dhe propaganda ishte pjesë e kohës. Nuk kishe mundësi zgjedhjeje, por duhet thënë se ideologjinë e bën ai që të jep lekët. Sot, një producent amerikan të jep lekët dhe të thotë që filmin do ta bësh si dua unë. Asokohe, producent dhe financues ne kishim Partinë e Punës, ai të thoshte urdhëro miellin, me këtë do të bësh bukën”, shprehet Kumbaro. Ndërsa lidhur me propozimin që të ngrihet një komision për vlerësimin e këtyre filmave, ai thotë se diçka e tillë bëhet nga kritikë filmash dhe Shqipëria nuk ka persona që kanë specializimin për këtë. “Filmi është një krijim shumëplanësh, ndaj i thonë edhe arti i shtatë, pasi përfshin në të shumë lloje artesh dhe nuk mund të vlerësohet aq thjesht sa pretendojnë këta.”

Ai pohon se ka edhe filma problematikë, por ata janë kryesisht dokumentarë që glorifikojnë figurën e Enver Hoxhës. Por këto dokumentare nuk duhen futur në një thes me filmat e tjerë artistikë. “Po, ka filma “problematikë”, sidomos ata dokumentarë ku paraqitet Enveri si Krishti, si shpëtimtari i kombit. Këta filma duhet të jenë pjesë e arkivit dhe duhet të trajtohen si të tillë. Ata duhet të shoqërohen me shpjegimet dhe komentet përkatëse, duke dhënë informacion për kohën kur janë realizuar, mbahet edhe një qëndrim.”

Saimir Kumbaro mendon se këto filma nuk mund të shërbejnë më si propagandë, pasi brezi i ri nuk do t’ia dijë fare për propagandën në ato filma, por argëtohet me batutat, rolet dhe gjuhën e përdorur. “Rinia nuk do t’ia dijë fare për propagandën. Kam pyetur unë qindra vetë dhe as u intereson ana ideologjike. Veçanërisht fëmijët e diasporës lënë kokën për filmat shqiptarë, sidomos për shkak të gjuhës.”

Ai nuk harron të kujtojë se vetë nuk fiton asgjë nga shfaqja apo mosshfaqja e këtyre filmave. “Unë nuk kam asnjë përfitim nga shfaqja e këtyre filmave. Kam realizuar 12 syresh dhe marr vetëm 1 milion lekë të vjetër në vit për të gjithë”, thotë me shpoti Kumbaro.

Më herët ka pasur reagime edhe nga aktorë dhe regjisorë të tjerë si Luftar Paja apo Piro Milkani, të cilët kanë thënë se nëse publiku shqiptar i do dhe i shikon ende këta filma, është se ajo çfarë është prodhuar në këto vite është larg së qenit art. “Kur të bëjnë filma më të mirë nga ato që kemi bërë ne, atëherë jam dakort që mos t’i shfaqim më”, ka thënë Luftar Paja pak ditë më parë.