25 Rreshtat e Mirës

Revista Elle, si një shuplakë e vogël që ia ndjeva xixat sot pasdite

Revista Elle, si një shuplakë e vogël që ia ndjeva xixat sot

Prej hallit, prej korrupsionit, prej fantazmave tenderuese, prej arrogancës, prej maskarallëk-fukarallëkut (siç thoshte kryeministri), prej një dobësie... pak rëndësi ka. Prej tre javësh jemi bërë të gjithë merak - burra, gra, fëmijë, adoleshentë, policë, infermierë, gjyshër dhe krushq - për sherret e burrave, për ikjet e burrave, për statuset e burrave dhe si gjithmonë i kemi rrëshkitur një fotografie të para tre javëve që i ngjan shumë asaj të grave në kongresin amerikan. Të katër grave të reja në krye të katër ministrive të rëndësishme. Po ne s'jemi amerikanë, s'jemi nivel 'i ulët' perëndimor që i jep echo revolucioneve të vogla të grave, qofshin ato të shkaktuara nga incidente politike apo historike, reale apo fasadë! Pak rëndësi ka. Më shumë gra do jenë në pushtet dhe historia ka treguar se ato janë gjithmonë më të pakorruptueshme se burrat. Duhet të ketë shumë arsye, një ndër to është që në darkë duhet të shkojnë pranë fëmijëve dhe nuk rrinë dot gjatë lart e poshtë nëpër tavolina. Argument mediokër por edhe kaq pak i mbron. Në Amerikë Hollivudi u shkul në lot nga thirrjet e Glenn Close për gratë, duke dhënë shembullin e nënës së saj, që i kish thënë në fund të jetës: Nuk kam bërë asgjë për veten time. Kam kujtuar se duhet t'i shërbeja burrit dhe se kjo ishte puna ime në jetë. Aktorja me sytë me lot u kthye nga gratë e burrat në ndarjen e Çmimeve Golden Globes:- Bëni diçka për veten tuaj.

Për rastësi, dy ditë pas flakës dhe efekteve që po jep lëvizja #me too në Amerikë, në aeroport, gjatë një udhëtimi në Itali rrëmbeva disa Revista tek Feltrinelli i bukur. Mes tyre, revistën Elle me Michelle Obama-n në një intervistë për Oprah Winfrey. Ua këshilloj këtë revistë, sepse udhëtimi me Albawings m'u duk si të isha në një çarter ose mbi një tufë pëllumbash që po më çonin në shtëpi. Ndërsa dëgjoja stjuardesat shqiptare, të këndshme, që u flisnin bukur dhe me ëmëblësi udhëtarëve, shfletoja "Elle". Në aeroport pandeha se kisha blerë një revistë mode, por aty kishte vetëm intervista me gra që kishin marrë poste e pushtet burrash në media, inovacion, art, ligj, etj. Christiane Amanpour tregonte si mori pushtetin e një burri të larguar si Charlie Rose në HBS.

Amanpour: I negotiated like a man! (Negociova si burrë)!

Barbara Underwood, sot avokatja e shtetit të New York-ut, zëvendosoi Eric Schneiderman. Ishin edhe disa gra që s'i njoh e nuk besoj që t'i njohim në Shqipëri si Christine Tsai, ceo dhe partnere në menaxhimin e Silicon Valley, e disa të tjera (në fund të këtij artikulli keni fotot e tyre dhe gjatë ditëve në tiranapost do të përkthehen të gjjtha)!

Në fund lexova Michelle Obama-n, e cila u vesh nëpër dalje publike edhe si Kim Kardashian dhe Amerika e adhuroi dhe ia bleu librin autobiografi si bukën e ngrohtë.

Duke mbërritur në Tiranë i dhashë fjalën vetes që do t'i mbaja vëth në vesh intervistat e atyre grave në revistën "Elle", por për 24 orë u mora, si të gjithë, me statuset e burrave dhe sot duke parë nga llozha e Parlamentit të Shqipërisë ndërsa votoheshin ministret e reja, u skuqa. Ja ku ishin edhe gratë tona. Si ka mundësi që nuk bëjmë emisione për to, statuse dhe ta brohorasim ne vajzat dhe gratë njëra-tjetrën? Sigurisht, në fund ka rëndësi rezultati, por kurrë nuk ka qenë një kohë më e mirë për gratë në botë dhe si fillim, ta duam këtë foto. T'i duam gratë sa burrat të paktën, jo më shumë.

Nga Tiranapost, suksese Belindës, Anilës, Besës dhe Elvës!/Tiranapost.al