Aktualitet

Republika e Re sipas Lulzim Bashës

Disa nga premtimet e Lulzim Bashë për Republikën e Re. Ja çfarë do të ketë ndryshe nga e vjetra sipas kreut të PD-së.

  • Përmes republikës së re t’ju kthejmë shqiptarëve atë që është e shqiptarëve. T’u japim 650 mijë pensionistëve shqiptarë të drejtën dhe mundësinë që në krye të 4 viteve të para të republikës së re, pensioni minimal të jetë 250 mijë lekë në muaj.
  • T’u japim studentëve shqiptarë tarifa të përballueshme bashkë me premtimin e republikës së re se askush bir apo bijë shqiptari nuk do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike, duke anuluar ligjin për arsimin e lartë, duke u dhënë tarifa të përballueshme me autonomi të plotë studentore, ju qindra e mijëra studentëve që keni mbushur këtë shesh si asnjëherë më pare.  Studentët që përfundojnë studimet do kenë mundësinë e stazheve të paguara të punës me një vlerë minimale prej 200 mijë lekësh në muaj në bazë të meritës tuaj si një urë nga auditorët e shkollave drejt tregut të punës, dhe si bekim i Republikës së Re, pronë e prindërve tuaj për tu uruar fillimin e mbarë të jetës këtu në Shqipëri, këtu në vendin tuaj.
  • Republika e Re do të jetë republika e taksave të ulëta, e taksës së sheshtë duke i dhënë fund taksave të larta, vjedhjes së madhe qeveritare në këto 27 vite. Me 9 % taksën e sheshtë ne do t’i japim frymëmarrje sipërmarrjes shqiptare, do të injektojmë 1 miliardë euro në ekonominë kombëtare, do të ndezim motorrët e saj për të çliruar energji pozitive, e do të krijojë mijëra vende pune, e do të përmirësojmë jetën e shqiptarëve, e do të rrisë rrogat dhe fuqinë blerëse të tyre.
  • Republika e Re e ka një premtim të madh për çdo sipërmarrës të vogël, për gjithë biznesin e vogël shqiptar, të një takse maksimale e cila kombinon taksat qendrore dhe lokale  dhe kurrë nuk mund të jetë më shumë se 1.5% e xhiros vjetore me një pullë në ambientet e jashtë të biznesit për t’i thënë lamtumirë një herë e përgjithmonë çdo inspektori, çdo tatimori e çdo taksidari.
  • Do t’i kthejë klasës së mesme shqiptare përmes tatimit 9% dinjitetin dhe mundësinë ekonomike për të vazhduar motorri i përparimit, së bashku me elitën e mendjes dhe të shpirtit shqiptar.
  • Do të kthejë mbi 40 mijë familje të hequra padrejtësisht nga ndihma ekonomike, në skemën e ndihmës ekonomike ku paratë që u jepen me një dorë nuk do t’u merren me dorën tjetër.Sepse për të gjitha familjet me ndihmë ekonomike Republika e Re do të paguajë faturat e energjisë deri në 300 KV dhe faturat e ujit të pijshëm për konsum familjar.
  • Republika e Re do të investojë më shumë se gjithçka tjetër tek fëmijët e shqiptarëve, tek fëmijët tanë, tek fëmijët tuaj. Nuk do të ketë asnjë ndërtesë më madhështore e të mirëpajisur në asnjë fshat dhe asnjë lagje qyteti se shkollat e fëmijëve tuaj, shkollat e fëmijëve shqiptarë.
  • Me dyfishimin e korpusit të mësuesve, me rritjen e rrogave të tyre, do të mundësojmë për çdo fëmijë shqiptar, nga mosha 5 deri në 18 vjeç, të kenë drekën falas në shkollat e Republikës së Re, me orarin nga ora 08:00 deri në orën 16:00 duke përfshirë bërjen e detyrave të shtëpisë, aktiviteteve sportive. Fëmijët e shqiptarë do të dalin nga tempujt e arsimit vetëm kur prindërit e tyre të dalin nga puna. Republika e Re do t’i heqë fëmijët e shqiptarëve nga rruga.
  • Fermerët shqiptarë duhet ta dinë se në Republikën e Re paratë që sot zhduken në xhepat e qeveritarëve të korruptuar dhe oligarkëve barkderra, do të kthehen në subvencione. Plot 100 milionë euro në vit për çdo familje fermere, në bazë të prodhimit, në bazë të tokës që punojnë dhe krerëve që mbarshtojnë.
  • Dhe mbi 50 milionë euro të tjera në vit për rrugë, vaditje, kullim, tregje. Doganat do ta ulin traun për prodhimet e eksportit që ju konkurojnë në mënyrë të pandershme tarifat e Republikës së Re do ta barazojnë djersën e fermerit shqiptar me djersën e fermerit europian.
  • Pronarët e ligjshëm e dinë tashmë se bashkë me reflektimin tonë për kauzën tuaj të drejtë, për të cilën bëmë por duhet të kishim bërë më shumë, vjen zotimi im, zotimi ynë për hedhjen menjëherë poshtë çdo platforme neokomuniste për t’ju rishpronësuar. Pronat tuaja do të kthehen apo kompensohen vetëm sipas vlerës së tregut dhe asnjë kriteri tjetër antikombëtar dhe antieuropian.
  • Vëllezër e motra emigrantë, ju që jeni larg vendit tuaj dhe sot jeni shumë më shumë se para tre vitesh për shkak të vrasjes së shpresës, pasigurisë e varfërisë. Dijeni se në Republikën e Re akti i parë do të jetë e drejta juaj për të votuar njësoj si familjarët tuaj përmes sistemit të votës elektronike, zëri juaj do të dëgjohet dhe kombi do të bashkohet në parlamentin e ri të Republikës së Re.
  • Në Republikën e Re me Kushtetutë dhe me ligj, anëtarët e Parlamentit do të zgjidhen vetëm si produkt i vullnetit tuaj qytetare dhe qytetarë shqiptarë, do të përfaqësojnë vetëm vullnetin tuaj dhe do të jenë kërkues,  llogarikërkues dhe avokatët tuaj para qeverisë dhe institucioneve shtetërore.

Sipas kreut të PD-së të gjitha këto janë të mundura dhe të realizueshme republika e vjetër largohet nga burimi i resurseve, pasurive dhe parave të shqiptarëve./ E.D/ Copyright Tiranapost.al