• Shqip
  • English
  • E enjte, 5 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Diaspora Kudo Shqiptarë Të gjitha

    Reportazh/ Parada shqiptare në New York, valle në shi të çmendur


    Nga Saimir Sulaj/ New York-u konsiderohet prej shumë njerëzve si qyteti më i bukur në botë. Shumëkush dëshiron të jetojë aty. Ata që jetojnë aty e thonë këtë me shumë krenari. Për dikë që ka jetuar apo e ka vizituar këtë qytet të madh ku përzihen kulturat e të gjithë botës, e ka shumë të qartë që çdo ditë mund të hasë diçka ndryshe dhe diçka interesante edhe aty ku nuk e pret. Në një shesh, park apo bulevard. Larmia apo veçantia e asaj që sheh, tërheq shpesh vëmendjen e turistëve, por edhe vendasve. E tillë është edhe parada e shqiptarëve të Amerikës që mbahet çdo vit në New York.

    Pas një udhëtimi disa orësh nga kryeqyteti amerikan Washington, mëngjesin e së shtunës mbërrijmë në zonën qendrore të New York-ut, atë që njihet si Midtown, apo mesi i qytetit. I afrohemi kryqëzimit mes bulevardit të gjashtë dhe rrugës 43 në New York. Duke nisur që prej disa blloqeve pranë këtij kryqëzimi mund të vije re shqiptarë të moshave të ndryshme, që nga fëmijë, të rritur apo edhe të moshuar. Dikush me veshje kombëtare apo vetëm me bluza kuqezi; dikush me një qeleshe e të tjerë me flamuj e simbole të ndryshme kombëtare.

    Të gjithë ishin shumë entuziastë. Ndërsa në zonën ku do të niste parada, shtohej dendësia e të pranishmëve dhe e veshjeve e simboleve kombëtare. Teksa në sfond buçiste muzika shqiptare.

    Këtë vit, tema e paradës së komunitetit shqiptaro-amerikan këtu në SHBA ishin arbëreshët. Dhe kush më mirë se familja DioGuardi, e njohur përmes ish-kongresmenit të njohur Joe DioGuardi, e përfaqëson komunitetin arbëresh në SHBA. Joe mbërrin në paradë me kadillakun e tij me çati të lëvizshme që e përdor vetëm në këtë ditë, i shoqëruar nga bashkëshortja Shirley, që nuk i ndahet në çdo aktivitet dhe që është bashkëpunëtore e ngushtë në çdo nismë që kanë ndërmarrë për shqiptarët. Shote Galica, siç e quan Joe. Me të është edhe i vëllai, Riçhard, dhe dy fëmijët, djali John dhe vajza, Kara DioGuardi. Kara është shumë e njohur në Amerikë, por edhe më gjerë. Ajo është kantautore e talentuar. Fama e saj u rrit edhe më tepër kur u bë pjesë e jurisë së talent show-t të njohur “American Idol”.

    IMG-20170617-WA0005

    E veçanta e paradës, në fakt ishin tri zonja që kishin ardhur enkas në SHBA për këtë ngjarje. Ata vinin nga fshati arbëresh Greçi në Itali, ose katundi siç e quajnë fshatin arbëreshët me një shqipe kaq autentike. Greçi është vendlindja e babait të DioGuardit, i cili në moshë fare të re mbërriti në SHBA ku ndërtoi jetën e tij.

    Kur bisedon me këto shqiptare arbëreshe të duket sikur po jeton një copëz historie nga periudha e Skënderbeut. Gjuha e tyre, sa e vjetër, aq edhe e kuruar. Pasioni që kanë për Shqipërinë dhe për Skënderbeun, sikur të kthejnë pas në shekuj.

    “Unë kam hare se jam sot këtu me të gjithë ju. Të shohim kaq gjindje (njerëz) nga Shqipëria, nga Kosova dhe ne që jemi arbëresh. Kemi shumë hare të jemi këtu.”, – rrëfen plot me emocione Rita.

    “Kemi gjithë këtë hare që jemi këtu. Unë studiova shqipen, por flas në mënyrën tonë arbëreshe, ose alla katundçe, siç themi ne atje. Kam hare që jam në mesin e gjithë këtyre njerëzve dhe ku flitet shqip dhe arbëresh”, – thotë Laura.

    “Mua më thonë Roza, por vjen nga emri arbëresh Karosena. Kam harë që sot po sjellim katundin në Amerikë. Është shumë bukur që të shohim gjakun e shprishur këtu në Amerikë.”, – flet plot emocione zonja e tretë.

    Edhe Joe duket tepër i emocionuar. Ashtu pasionant si gjithmonë, konfirmon se sa e rëndësishme është që t’u tregojë të gjithë botës se kush janë shqiptarët dhe arbëreshët.

    “Me temën e arbëreshëve që ka parada këtë vit, duam t’u tregojmë amerikanëve që në Itali nuk ka vetëm shqiptarë refugjatë, por ka edhe shqiptarë arbëreshë që gjenden atje prej 550 vjetësh. Këto zonja janë arbëreshe nga vendlindja e babait tim, nga katundi Greçi. Ne jemi shumë të lumtur që i kemi sot mes nesh dhe të veshura me veshjet tradicionale arbëreshe.”, – thotë ish-kongresmeni i njohur.

    E bija e DioGuardit, Kara, të jep përshtypjen e një amerikaneje të vërtetë, ashtu siç është në fakt. Por kur e pyesim, ajo gjen vlera brenda saj që e lidhin kaq fort me kulturën shqiptare.

    1-18

    “Mendoj se është shumë mirë për njerëzit që të gjejnë komunitetin e tyre, ku jetojnë. Është një aktivitet madhështor, të sjellësh gjithë këta njerëz bashkë që festojnë për kulturën e tyre dhe të rilidhen mes tyre. Kulturën shqiptare e shoh si shumë pasionante. Këtë vlerë e shoh brenda meje sepse artin tim dhe çdo gjë e bëj me shumë pasion. Shqiptarët janë shumë të lidhur me familjen, gjë që edhe për mua është shumë e rëndësishme. Besa, fjala e dhënë dhe mikpritja janë vlera shumë të vyera të shqiptarëve dhe këtë e shoh gjithashtu tek unë. Nëse dikush vjen në shtëpinë time, i mirëpres me shumë ngrohtësi dhe bëj gjithçka për ta. Mbase këtë e kam në gjakun tim.”, – rrëfen artistja amerikane.

    Sa i përket arbëreshëve, ajo na tregon mbresat nga fshati i origjinës së gjyshit të saj, katundi Greçi:

    “Isha 17 vjeç kur e vizitova dhe mbaj mend që ishte një fshat i mrekullueshëm. Kishte shtëpi të vjetra shumë të bukura dhe njerëzit atje ishin shumë të mirë. Më bëri përshtypje që kishin respekt të madh edhe për paraardhësit e tyre që kanë vdekur dhe i kujtonin vazhdimisht me ceremoni dhe ndezje qirinjsh. Ishte e veçantë sepse mendoja se pa gjyshin tim që lindi në atë fshat, unë nuk do të kisha lindur dhe nuk do të isha as këtu sot dhe as nuk do të arrija ato që kam arritur.”

    Për shqiptarët kudo në botë, Kara jep një mesazh: Të jenë vetvetja dhe të gëzojnë jetën.

    Për herë të parë këtë vit, u dha edhe çmimi për familjen shqiptare të vitit në Amerikë. Ky çmim i shkoi pikërisht familjes DioGuardi. Vlerësimi iu dorëzua vëllait të ish-kongresmenit Joe DioGuardi, Richard DioGuardi-t, pasi siç tha organizatori i paradës, Marko Kepi, Joe ka marrë shumë çmime dhe vlerësime në jetë tanimë.

    Pjesë e paradës ishin qindra shqiptarë dhe dhjetëra organizata e shoqata të komunitetit këtu.

    Asllan Bushati ka qenë aktiv prej vitesh në komunitet. Për shumë kohë ka shërbyer si nënkrytar i Federatës Vatra, aq e njohur ndër shqiptarët, për famën që mori nga Noli e Konica. Vatra tanimë ka drejtues të rinj, që u zgjodhën këtë muaj.

    “Ne si komunitet shqiptaro-amerikan duhet të bashkohemi sa më shumë. Liderët e organizatave shqiptaro-amerikane, si ‘Vatra’ apo ‘Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane’ dhe të tjera, duhet të bashkëpunojnë sa më shumë në mënyrë që këtë brum të madh të shqiptaro-amerikanëve ta përdorin në dobi të komunitetit këtu dhe të kombit shqiptar. Le të kemi lidhje shumë më të forta me Kongresin, me Shtëpinë e Bardhë, me Departamentin e Shtetit, për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve ende të pazgjidhura shqiptare. Kjo paradë i shërben gjenerimit të energjive të reja shqiptare.”, – tha aktivisti i njohur shqiptaro-amerikan, Bushati.

    Muzika shqiptare në volum shurdhues, aq sa të krijohej përshtypja se ishim në një dasmë të madhe shqiptare, vallet dhe fjalimet pasionante ia lanë radhën nisjes së paradës, mespërmes bulevardit të gjashtë në New York. Parakalimi i shqiptarëve, me të gjitha simbolet tradicionale, duke ecur në këmbë apo duke hedhur valle, me makina të bukura apo me motorë, shënon kulmin e ngjarjes më të rëndësishme vjetore të komunitetit. E po në atë moment, një shi i madh, që të krijonte idenë se ishim në një xhungël tropikale, u derdh si oqean nga qielli i New York-ut. Por për shqiptarët parakalimi ishte një dasmë. Një dasmë e madhe. Dhe në traditën tonë, dasmat nuk anullohen. Ashtu në mesin e atij shiu me gjyma, shqiptarët parakaluan, kërcyen, kënduan, dëfryen. I treguan gjithë njerëzve dhe botës për kulturën e tyre dhe e bënë këtë më shumë krenari.

    IMG-20170617-WA0010

    Mijëra turistë dhe vendas, të strukur në strehë ndërtesash, buzë trotuarëve, e ndiqnin plot kureshtje paradën dhe bënin fotografi dhe video.

    “Jam shumë e emocionuar dhe e lumtur që po shoh këtë aktivitet. Më pëlqejnë shumë këto veshje tradicionale dhe kërcime popullore. Unë kam dëgjuar për Shqipërinë dhe e di se ku ndodhet në hartë. Është hera e parë që e ndjek këtë paradë dhe po më pëlqen shumë. Të gjithë janë kaq të mirë e të sjellshëm.”, – tha Melody, një njujorkeze e mahnitur nga çka po shihte.

    Ndërsa Ervin, një tjetër njujorkez jeton prej disa kohësh në Shqipëri. Ai është pjesë e një projekti pune atje, por tregon se është i dashuruar me vendin; me detin, malet, klimën, ushqimet, njerëzit e sjellshëm e mikpritës. Ka jetuar për ca kohë në Sarandë dhe tashmë, për shkak të punës jeton në Tiranë, por është kthyer në SHBA për të vizituar familjen dhe do të kthehet sërish në korrik në Shqipëri. Kur e pyesim se si i duket parada, ai na përgjigjet shkurtimisht dhe kuptimplotë për gjithë këtë aktivitet madhështor:

    “Vetëm shqiptarët mund të kërcejnë në këtë shi të çmendur.” /Marrë nga tesheshi.com

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post