• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Anti-Politika Opinion Të gjitha

    “Reply”-ja që ndryshoi përgjithmonë politikën!


    ANTIpolitika
    Nga Alfred Peza

    Shtatorin e kaluar, ndërsa në PS filloi puna me kapacitet të plotë për organizimin e trupës në terren për zgjedhjet e 25 qershorit të këtij viti, tek stafi më i ngushtë i Edi Ramës ndihej herë pas here një dozë nervozizmi. Jo për shkak të ngarkesës dhe përgjegjësisë së jashtëzakonshme që i priste ato javë e muaj deri në përfundim të fushatës. Në pamje të parë, ajo që i mundonte, dukej shumë herë më e thjeshtë se kaq. Por për ta, ndihej në ajër se po shndërrohej në një shqetësim real.

    Herë pas here na duhej të diskutonim për teknikalitetet e organizimit digjital të punës dhe biseda rrotullohej tek fakti se cili prej tyre do merrte guximin për ta këshilluar Kryeministrin, që të mos i përgjigjej më njerëzve që komentonin statuset në facebook-un e tij. Sepse pasi kuptuan se kishin zbuluar një lodër të re, shumë prej “friendsave” të tij virtualë jo vetëm që bënin sikur nuk donin që të sqaroheshin, por pas çdo përgjigje dukej sikur merrnin akoma edhe më tepër zjarr. Duke nxitur pasionantët e tjerë shqiptarë të rrjetit, që të shkruanin e shkruanin pa pushim. Me shpresën se ndër mijëra e mijëra komentet që bëheshin çdo ditë poshtë publikimeve, do merrnin nga shefi i qeverisë shqiptare, një “reply” (përgjigje) poshtë komentit të tyre.

    Kurrë më parë nuk ishte parë e dëgjuar që kreu i qeverisë, të komentonte flakë për flakë e në çdo kohë me qytetarët e thjeshtë, për tema nga më të ndryshmet. E mbi të gjitha, me njerëz që shpeshherë fshiheshin pas maskave virtuale dhe që nuk ruanin etikën më minimale të komunikimit publik. Në shumë raste, nga mënyra se si shkruanin, një pjesë dukeshin armiqësorë dhe shumë të motivuar negativisht. Sa më tepër që njerëzit e stafit të ngushtë shqetësoheshin dhe përdoruesit e pafund të facebook-ut eksitoheshin, aq më këmbëngulës dukej sikur bëhej Rama për ta vijuar dhe çuar deri në fund këtë lojë si me zjarrin. E cila me kalimin e kohës, nga dhimbje koke e nervozizëm, dukej se filloi ta relaksonte dhe nisi ta argëtonte. Duke i sjellë jo vetëm kënaqësi, por edhe nga pak zbavitje.

    Kjo strategji e re në marrëdhëniet me publikun, bashkë me një organizim krejt të ri të mënyrës së suportimit të aktivitetit të Kryetarit të PS në rrjetet sociale, kapilarizoi mesazhin e tij politik direkt e tek qytetari. Kjo çoi në një shtim shumë të madh të numrit të ndjekësve dhe për rrjedhojë edhe në rritjen e pranisë së tij publike. Këtë radhë, duke zhvilluar si kurrë më parë në historinë tonë të re politike, një komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Pa ndihmën dhe ndërmjetësimit e mediave tradicionale dhe pa nevojën e “qartësimit” të njerëzve të thjeshtë nga ana analistëve dhe opinionistëve.

    Strategjistët e marrëdhënieve me publikun, kanë kuptuar me kohë se vitet dhe muajt e fundit në Shqipëri, për shkak të hapjes për mbi çerek shekulli të vendit, mundësisë së lëvizjes së lirë dhe kulturës së re të debatit të hapur në rrjetet sociale, qytetarët kanë ecur dhe janë më përpara se mediat në shumë aspekte. Përveçse një vend i hapur, me gjithë problemet social- kulturore që e pasojnë këtë proces, po bëhemi edhe një shoqëri gjithnjë e më e hapur.

    Një shoqëri ku për shkak të informacionit, shkollimit, udhëtimeve dhe lirisë së mendimit e lëvizjes, kanë rënë shumë klishe, tabura dhe paragjykime të deridjeshme dhe sot njerëzit kanë gjykimin, opinionin dhe bëjnë vetë analizat dhe prognozat e tyre. Ndërkohë që një pjesë e klasës së analistëve, si pa e kuptuar edhe vetë, kanë mbetur prapa nevojës së qytetarëve. Me kalimin e kohës, për shkak të konsumizmit dhe lojërave personale që kanë bërë ndër vite, kanë humbur edhe besueshmërinë e moralin publik.

    Kryeministri Rama ndryshe nga Donald Tramp, nuk zgjodhi “twitter”-in, por preferoi “facebook”-un si mjetin e tij kryesor për betejën e fundit elektorale.

    Për arsyen e thjeshtë se shqiptarët zotërojnë 2 milionë adresa, ndër 2 miliardë përdoruesit e facebook-ut sot në botë. Duke gëzuar popullaritetin më të madh tek shumë votues apo familjarë të tyre. Fakti që Rama ka mbi 1 milion e 100 mijë ndjekës, e tregon më së miri këtë.

    Ndërkohë që twitter-i konsiderohet më elitare dhe për rrjedhojë, me përdorim më të kufizuar. Themeluesi i twitter-it, Evan Williams ka kërkuar falje publike, për kontributin që mediat sociale mund të kenë dhënë në fitoren elektorale të Donald Tramp. “Më vjen keq. Ishte një gjë e shëmtuar, pasi pa twitter me shumë mundësi ai nuk do të ishte bërë President i SHBA”,- tha ai. Ndërkohë që në Shqipëri, mungojnë instrumentet e duhura për të matur shkallën e ndikimit që ka patur përdorimi i facebook, në fitoren e pazakontë të PS dhe Edi Ramës më 25 qershor.

    Ajo që mund të thuhet me siguri që tani, është fakti se ato përgjigje që Edi Rama jep në publikimet që bën çdo ditë në faqen e tij zyrtare në facebook, e kanë ndryshuar përgjithmonë jo vetëm mënyrën e komunikimit lider- votues, por edhe vetë politikën në Shqipëri. E gjitha kjo, më kujton efektin që pati në politikën amerikane, debati i parë live televiziv mes kandidatëve për presidentë Nikson- Kenedi. Në mëngjesin e asaj dite, më 26 shtator 1960, Xhon Kenedi u zgjua duke qenë një senator i panjohur nga Masaçusets.

    Debatin 60 minutash e ndoqën 74 nga 170 milionë banorët e SHBA dhe Kenedi shkoi në shtrat i dërrmuar. Por, tashmë si një yll politik i pashuar ende edhe sot. Stafi i tij, vetëm të nesërmen kur panë turmat e pazakonta që i prisnin më entuziazëm kudo që shkonin, e kuptoi efektin e ndryshimit të madh dramatik që televizioni u kishte dhuruar brenda një nate.

    Televizioni ka të bëjë me imazhin dhe jo me substancën. Eshtë kjo arësyeja se përse dëgjuesit në radio të këtij debati historik, krejt ndryshe nga ata që e panë në televizion, nxorën fitues Niksonin. Historiani Teodor Uajt që shkroi më 1960 për këtë ngjarje, tha: “Televizioni është procesi politik; është terreni ku luhet politika. Sot, veprimi është në studiot televizive, dhe jo në prapaskena”. Kanë kaluar gati 60 vjet nga ajo kohë dhe në politikën botërore, kanë rrjedhur shumë ujëra. Tashmë televizioni dhe mediat e tjera tradicionale po bëhen instrumente të vjetruara në duart e lidërve politikë.

    Ata kanë kuptuar se revolucioni i teknologjive digjitale në një shoqëri të re të informacionit si kjo e sotmja, kërkon një qajse krejt të re, për ta dërguar si duhet të mesazhit politik tek të gjithë qytetarët. Kush e kuptoi më shpejt e më mirë, mori më shumë vota dhe mandate përfaqësimi në Parlament. Sepse në skenën e politikës së madhe, mistika e dikurshme e “Hollivudit”, është zëvendësuar me magjinë e “Silicon Valley”. Mirëserdhët në të ardhmen!

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al