• Shqip
  • English
  • E enjte, 19 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Botë Të gjitha

    Rekord çmimesh, floriri bëhet për tu blerë me flori!


    Të dhënat e Financial Times konfirmojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vendin e parë për rezervat e floririt në botë.

    Floririt nuk i bie vlera kurrë dhe ai konsiderohet si një pasuri më vete, krejt e paluhatshme dhe e qëndrueshme, ndryshe nga paraja apo gurët e çmuar. Ekspertët e financave thonë se të blesh flori është një investim dhe asnjëherë një shpenzim i kotë.

    Që nga viti 1808 kur nisi tregtia e floririt, ky metal i çmuar shitej me vetëm 19.39 dollarë amerikanë për 28 gramë. Në vitin 2015 çmimi arriti në 1.060 dollarë amerikanë dhe ekspertët e Citigroup dhe Financial Times presin që çmimi të thyejë rekordin e të gjitha kohërave duke arritur në 2000 dollarë amerikanë për çdo 28 gramë.

    Që tetë vite më parë, bankat qendrore të shumë vendeve nisën blerjet masive të floririt për sa kohë çmimet e tij ishin të përballueshme por edhe të nxitur nga uljet e normave të interesit të bonove të thesarit. Kërkesa e lartë për ar por edhe rreziqet në rritje për një kthesë negative të ekonomisë globale janë dy prej faktorëve që nxisin rritjen e çmimit të arit.

    Të dhënat e Financial Times konfirmojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vendin e parë për sasinë e floririt të blerë nga Banka Qendrore. SHBA-të kanë në zotërim 8.133 ton kallëpë floriri. Në vend të dytë renditet Gjermania me 3,372 ton, ndjekur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar me një rezervë floriri prej 2,814 tonësh, Italia me 2,451 ton, Franca me 2,436 ton, Rusia me 1,890 ton, Kina me 1,842 ton dhe Zvicra me 1,040 ton ar.

    Vlera e arit të Rusisë për shembull arrin në 100 miliard dollarë. Shqipëria nga ana tjetër, sipas të dhënave në dispozicion është shteti me sasinë më të vogël të rezervave të arit në Evropë. Rezervat e floririt të vendit tonë arrijnë në 1.6 ton. Ai mbetet mburoja më e mirë dhe e sigurtë financiare për çdo person dhe çdo vend.

    Fakte interesante që nuk i dinit për floririn

    Ekspertët besojnë se të paktën 80 përqind e të gjithë arit të botës është e groposur dhe e shpërndarë në shtatë kontinentet.

    Vetëm nëpër oqeane besohet të gjenden 10 miliardë ton flori.

    Simboli kimik i floririt është Au  që vjen nga fjala latine ‘aurum’ që përkthehet ‘ agimi i ndriçuar. ‘

    Ndërkohë që dy të tretat e arit të botës vjen nga Afrika e Jugut, India mbetet vendi me konsumin më të lartë të floririt në botë. /Tiranapost.al/

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690