• Shqip
  • English
  • E martë, 15 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Libra

    Regjistruesi


    Dino Buzzati/ I pat thënë (duke pëshpëritur), i lutej hesht pak, të lutem, regjistruesi po regjistron nga radioja, mos bëj zhurmë, e di që më pëlqen shumë, po e regjistroj ‘’ Mbretin Artur’’ të Purcelit, mahnitës, i pastër.

    Por ajo, inatçore moskokëçarëse e poshtër, lart e poshtë me takat që kërcisnin vetë , për t’ia errësuar sytë , e pastaj e pastronte zërin, e pastaj kollitej (me qëllim) e pastaj qeshte me të madhe me veten dhe ndizte shkrepësen për të bërë sa më shumë zhurmë të mundej, e pastaj akoma hapa që kumbonin lart e poshtë, pa mbarim, e ndërkohë Purceli, Moxarti, Bahu, Palestrina, hyjnorët dhe të përsosurit këndonin më kot, ajo mjerania,pleshti, zgjebja,ankthi i jetës, kështu nuk vazhdohej dot më përpara.

    Dhe tani, pas kaq shumë kohësh, ai vendos sërish të dëgjojë shiritin e vjetër torturues, kthehet mjeshtri, i gjithëpushtetshmi, kthehet Purceli, Bahu, Moxarti , Palestrina. Ajo nuk është më, u largua, e braktisi, preferoi ta lërë , ai as me hamëndje nuk e di ku ndodhet. Ja Purceli, Moxarti, Bahu, Palestrina bëjnë muzikë, melodi të mallkuara neveri-ndjellëse të kota.

    Ato tingëllima takash lart e poshtë, ajo zhurmë, ato të qeshura (e dyta sidomos), ajo gërvimë e zërit, kolla. Kjo po, muzika hyjnore. Ai dëgjon. Nën dritën e llampës, i ulur, dëgjon. I ngurtësuar mbi poltronën e vjetër të shkallmuar, ai dëgjon. Pa lëvizur qoftë edhe një muskul, ulet duke dëgjuar: ato zhurma, ato fjalë ,atë kollë, ato tinguj të adhurueshëm, sublimë. Që nuk ekzistojnë më, nuk do të ekzistojnë më kurrë ndonjëherë.

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690