Aktualitet

Regjistronte fshehurazi mbledhjet e Ministrisë së Brendshme, shkarkohet dhe kallëzohet drejtori

Xhuvanaq Gjylameti, Drejtori i Komanduar i Emergjencave Civile do të duhet të përballet me akuzat e zbulimit të të dhënave sekrete, pasi mësohet se ka regjistruar me telefonin e tij personal mbledhjet me dyer të mbyllura në ambientet e Ministrisë së Brendshme.

Megjithëse rasti është mbajtur për pak kohë i izoluar, tashmë kanë dalë në dritë fakte që provojnë se Gjylameti ka incizuar fshehurazi me aparatin e tij celular diskutimet në mbledhje, gjë që ka sjellë shkarkimin e tij të menjëhershëm, procedimin disiplinor dhe procedimin penal për zbulim të akteve ose të të dhënave sekrete që parashikohet nga neni 295/a dhe dënohet nga gjobë deri në tre vite burg.

Sipas raportimeve të Top Channel, dyshohet se Gjylameti ka incizuar edhe mbledhje të tjera, ndërsa në përfundim të veprimeve policia ka vendosur që ai të hetohet në gjendje të lirë. Nga të dhënat e para, mësohet se përgjimet janë kryer gjatë periudhës korrik-gusht 2017, kur vendi u përball me situatën e zjarreve./Tiranapost.al