• Shqip
  • English
  • E shtunë, 19 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Pas ftesës së Ramës, Palmer: Opozita të ulet në dialog me qeverinë


    SHBA-të do të donin një dialog mes qeverisë dhe opozitës dhe nuk kanë qëllim të zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike. Kështu shprehet Mathew Palmer, i dërguar i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor në një intervistë për Zërin e Amerikës. Ai ndalet te dialogu që duhet të ketë në politikën shqiptare për reformën zgjedhore, ndërsa lidhur me këtë çështje kryeministri Rama i bëri një ftesë sot për t’u ulur në tryezë përfaqësuesve të opozitës joparlemantare.

    Zëri i Amerikës: Të flasim për Shqipërinë, ku ndaj kryeministrit të tanishëm ka shumë kritika. Ç’mendim keni për situatën politike në Shqipëri?

    Matthew Palmer: Ne do të donim që ngërçi i tanishëm politik në Shqipëri të zgjidhej. Ne kemi një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë aktuale të Shqipërisë ashtu siç kemi pasur një partneritet të mirë e të ngushtë me qeverinë e mëparshme. Shtetet e Bashkuara nuk zgjedhin fitues dhe humbës në lojën politike, askund, dhe veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, ku jam duke u përpjekur të bëj punën time. Ne punojmë me qeveritë që dalin përmes zgjedhjeve demokratike. Ne i kuptojmë dëshirat e opozitës për të parë zbatimin e reformave dhe e mbështesim qëllimin e reformave. OSBE-ja ka bërë rekomandime shumë specifike në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Ne do të dëshironim të shihnim një dialog midis qeverisë dhe opozitës për këto reforma, dhe, kur kjo marrëveshje të arrihet, do të dëshironim që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen mbi këtë bazë. Ndërkohë, është e rëndësishme që Shqipëria të krijojë një Gjykatë Kushtetuese në mënyrë që ajo të gjykojë mosmarrëveshjet që do të lindnin në sferën politike. Por, mbi të gjitha, dhe kjo është shumë e rëndësishme, populli i Shqipërisë mund të mbështetet tek miqësia dhe partneriteti me Shtetet e Bashkuara. Aleatët tanë, partnerët tanë janë Shqipëria dhe populli shqiptar. Politika është politikë, por marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është e fortë dhe e qëndrueshme./ Burimi VOA/ Tiranapost.al

    Rama letër për Bashën, Kryemadhin edhe për të tjerët deri tek Nard Ndoka: Ne as e kemi zgjedhur njëri-tjetrin, por as nuk e zhbëjmë dot, ejani në tavolinë

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]