SportTe gjitha

Real Madrid merr portierin e Chelsea, Kovacic huazohet në Londër


Tani është zyrtare: Thibaut Courtois është portieri i Real Madrid. Futbollisti belg ka realizuar dëshirën e tij dhe duke nisur nga dita e nesërme do të vihet në dispozicion të trajnerit Julian Lopetegui, pasi të dyja palët kanë arritur marrëveshjen.

26-vjeçari do të firmosë një kontratë gjashtë vjeçare me klubit “Los Blancos”, në moment që do të kalojë vizitat mjekësore, ndërsa në arkat e Chelsea do të shkojnë 35 milionë euro, për lojtarin që verën e ardhshme nuk do të kishte asnjë lidhje kontraktuale.

Nesër në orën 13:00 do të bëhet prezantim i tij në “Santiago Bernabeu”. Ai bëhet përforcimi i katërt i marrë nga Real Madrid në merkato pas Vinicius, Lunin dhe Odriozola.

Courtois ka qenë më parë pjesë e Atletico Madrid në La Liga, deri në vitin 2013, i huazuar nga Chelsea.

Ndërkohë, është zyrtarizuar gjithashtu se Mateo Kovacic është huazuar nga Real Madrid te Chelsea deri në qershor të vitit 2019. Kroati do të vihet që nesër në urdhrat e Maurizio Sarri. /XH.K