Lajme nga Bota

Raporti për ndërhyrjen ruse, Trump tentoi të shkarkonte prokurorin që po e hetonte

Raporti për ndërhyrjen ruse, Trump tentoi të shkarkonte

Raporti i Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi hetimin e tij ndaj ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 që u publikua të enjten tregon se Presidenti Donald Trump kërkoi të detyronte largimin e zotit Mueller.

Në versionin e redaktuar të raportit prej më shumë se 400 faqesh të publikuar nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr thuhet se në qershor të vitit 2017, presidenti Trump i kërkoi Këshilltarit Ligjor të Shtëpisë së Bardhë Don McGahn, t'i thoshte kryeprokurorit Barr se zoti Mueller duhej të shkarkohej për shkak të konflikteve të interesit.

Në raport thuhet se "McGahn nuk e zbatoi direktivën megjithatë, duke vendosur që të jepte dorëheqjen sesa të shkaktonte atë që ai e konsideronte si një masakër natën e së shtunës". Masakra e natës të së shtunës i referohet shkarkimit të zyrtarëve kryesorë të zbatimit të ligjit nga presidenti Richard Nixon në tetor të vitit 1973 gjatë periudhës së Watergate-it.

Pak para se raporti të bëhej publik, kryeprokurori Barr u tha gazetarëve se Presidenti Trump nuk ka bashkëpunuar me Moskën dhe tha se më vonë, pas marrjes së pushtetit, zoti Trump nuk kishte "asnjë qëllim të korruptuar" për të penguar hetimin.

Presidenti Trump, i cili prej kohësh i është referuar hetimit Mueller si një "Gjueti Shtrigash", tha të enjten "Kjo nuk duhet të ndodhë kurrë me një president tjetër, ky mashtrim. Kjo kurrë nuk duhet të ndodhë me një president tjetër. "

Në fund të muajit të kaluar, në një përmbledhje të gjetjeve të zotit Mueller, kryeprokurori Barr tha se prokurori i posaçëm kishte arritur në përfundimin se zoti Trump nuk kishte bashkëpunuar me Rusinë, por nuk kishte marrë asnjë vendim nëse ai kishte penguar drejtësinë.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Drejtësinë i kontrolluar nga demokratët publikoi një letër të enjten duke kërkuar që prokurori Mueller të dëshmojë para komisionit "sa më shpejt të jetë e mundur".

Një nga ngjarjet mbizotëruese në presidencën dyvjeçare të Donald Trump-it kalon në një fazë të re të enjten me publikimin e raportit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller lidhur me akuzat për bashkëpunim të fshehtë dhe pengim të drejtësisë.

Prokurori i Përgjithshëm William Barr komentoi lidhur me raportin e zotit Mueller në një konferencë për shtyp në Departamentin e Drejtësisë, ndërsa kopjet e raportit po dërgohen në Kongres e pastaj do të publikohen në internet.

Konferenca e Shtypit e Kryeprokurorit Barr

Prokurori i Përgjithshëm ofroi hollësi të raportit të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, para se ta bënte publike raportin, duke theksuar se nuk ka gjetur ndonjë bashkëpunim të fshehtë midis fushatës së Presidentit Donald Trump dhe Moskës.

Zoti Barr, i emëruar si kreu i Departamentit të Drejtësisë nga presidenti Trump, dha një konferencë për shtyp përpara publikimit të raportit të shumëpritur, një ngjarje me rëndësi kjo për presidencën Trump.

"Prokurori i Posaçëm ka hetuar një numër lidhjesh apo kontaktesh mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe individëve të lidhur me qeverinë ruse gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Pas shqyrtimit të këtyre kontakteve, Prokurori i Posaçëm nuk gjeti asnjë komplot që shkel ligjin amerikan që përfshin personat e lidhur me Rusinë dhe ndonjë personi të lidhur me fushatën presidenciale. Ky është përfundimi kryesor. Pas rreth dy vjet hetimesh, me mijëra thirrjesh për dëshmi, me qindra fletë-arrestesh dhe intervista dëshmitarësh, Prokurori i Posaçëm konfirmoi se qeveria ruse sponsorizoi përpjekjet për të ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por nuk gjeti se fushata Trump apo amerikanë të tjerë bashkëpunuan me këto përpjekje. Pasi nuk gjeti asnjë bashkëpunim të fshehtë me Rusinë, raporti i Prokurorit të Posaçëm vazhdon të shqyrtojë nëse veprimet e caktuara të presidentit mund të përbëjnë pengim të hetimit. Siç e kam thënë në letrën time të 24 marsit, Prokurori i Posaçëm nuk dha një gjykim prokurorial tradicional lidhur me këtë pikë. Në vend të kësaj, raporti paraqet 10 episode që përfshijnë presidentin dhe diskuton teoritë e mundshme ligjore për lidhjen e këtyre aktiviteteve me elementet e një vepre të pengesës. Pas shqyrtimit të kujdesshëm të fakteve dhe teorive ligjore të parashtruara në raport dhe në konsultim me Zyrën e Këshilltarit Ligjor dhe avokatët e tjerë të departamentit, zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe unë arritëm në përfundimin se provat e paraqitura nga Prokurori i Posaçëm nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se presidenti ka kryer një pengim të drejtësisë. Megjithëse zëvendës Prokurori i Përgjithshëm dhe unë nuk pajtohemi me disa prej teorive ligjore të Prokurorit të Përgjithshëm dhe se disa nga episodet e shqyrtuara nuk përbën pengesë ligjore, ne nuk u mbështetëm vetëm aty për të marrë vendimin tonë.”

Ai tha se avokatëve personalë të Presidentit Trump "iu dha mundësia të lexonin një version përfundimtar të raportit të redaktuar përpara se ai të bëhej publik", një deklaratë që me siguri do të zemërojë demokratët e Kongresit.

Publikimi i raportit, me pjesë që pritet të paraqiten të mbuluara me bojë të zezë për të mbrojtur disa informacione të ndjeshme, pritet të shkaktojë një betejë të re politike në Kongres si dhe në fushatën presidenciale për zgjedhjet e 2020-s, ndërkohë që zoti Trump kërkon të rizgjidhet në një atmosferë ndarjesh të thella politike në vend.

Në një sërë postimesh në Twitter përpara publikimit të raportit, Presidenti Trump e kritikoi ashpër hetimin e Prokurorit të Posaçëm Mueller, duke e quajtur Udhëheqësi i SHBA, në Twitter, thirri hetimin 22 mujor të Mueller-it "Mashktrimi më i madh politik i të gjitha kohërave!"

Prokurori i posaçëm Mueller ia paraqiti raportin zotit Barr më 22 mars. Dy ditë më vonë, zoti Barr u tha ligjvënësve se hetimi nuk vërteton se ekipi i fushatës Trump në vitin 2016 u angazhua në një konspiracion kriminal me Rusinë dhe se raporti e nxjerr të larë Presidentin Trump përsa i përket akuzave për pengim të drejtësisë.

Raporti i redaktuar

Kongresi dhe populli amerikan do të shohin për herë të parë në hollësi faktet që zoti Mueller shqyrtoi pasi ai dhe ekipi i tij i hetuesve federalë punuan për të përcaktuar nëse fushata e zotit Trump ose bashkëpunëtorët e tij bashkëpunuan fshehurazi me Rusinë në përpjekjet e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 që e sollën presidentin Trump në pushtet.

Agjencitë amerikane të zbulimit në fillim të vitit 2017 vlerësuan se Rusia, nën drejtimin e Presidentit Vladimir Putin, zhvilloi një fushatë për të minuar zgjedhjet dhe kishte një preferencë të qartë që zoti Trump të fitonte.

Njerëz që e kanë parë raportin prej 400-faqësh të zotit Mueller, të cilët folën me gazetat The Washington Post dhe The New York Times, thanë se dokumenti hyn në hollësi për akuzat e ndryshme nëse zoti Trump pengoi hetimin federal në lidhje me aktivitetet e Rusisë gjatë zgjedhjeve.

Kryeprokurori Barr publikoi para disa javësh një letër të shkurtër me përmbledhjen e tij të gjetjeve të zotit Mueller, ku theksohet se fushata Trump nuk bashkëpunoi me Rusinë dhe se sipas mendimit të zotit Barr informacionet nga zoti Mueller nuk treguan mjaftueshëm mbështetje për akuzat se presidenti pengoi drejtësinë.

Shumë njerëz do ta analizojnë raportin për të parë se si qëndrojnë konkluzionet e tij kur krahasohen me informacionin më të plotë që do të jetë në dispozicion të publikut./VOA/Tiranapost/A.C