Aktualitet

Raporti/ Partitë në Kosovë shpenzuan mbi 3 milionë euro për zgjedhjet 

Organizata jo qeveritare “Çohu” dhe “Demokracia Plus” në Kosovë kanë prezantuar raportin  “Sa shpenzuan partitë politike për zgjedhjet e 11 qershorit”. Sipas tyre partitë politike në Kosovë për zgjedhjet e 11 qershorit kanë shpenzuar miliona euro, ku prin koalicioni PAN me 1 milion e 717 mijë e 155 euro, koalicioni LAA me 1 milion e 94 mijë e 76 euro dhe Lëvizja Vetëvendosje me 359 mijë e 929 euro.

“Gjatë analizës jemi ndalur kryesisht në dy koalicionet e mëdha që kanë qenë në zgjedhjet e 11 qershorit, PAN dhe LAA dhe Lëvizja Vetëvendosje, por edhe pse kemi kërkuar raportet financiare të subjekteve politike një gjë e tillë nuk iu është mundësuar. Ne gjatë kësaj periudhe nuk kemi pasur mundësi t’i mbulojmë të gjitha komunat dhe televizionet. Janë 15 komuna të pa monitoruara. Ne kemi kërkuar nga subjektet politike t’i marrim raportet financiare mirëpo nuk kemi arritur të qasemi në to për shkak të KQZ-së dhe partive politike”, tha Genc Nimoni nga “Çohu”.

Ndërsa Isuf Zejna nga “Demakracioni Plus”, tha se në këtë raport janë analizuar shpenzimet duke përdorur një metodologji të kombinuar e cila ka përfshirë shpenzimet e subjekteve në media, tubime elektorale, vëzhgimin e zgjedhjeve dhe shpenzimet në terren, ku është vërejtur se PAN prin në shpenzimet për media. Sipas tij, interesimi i partive politike për gazetat ditore ka rënë.

/Tiranapost.al