Aktualitet

Rama: Para 3 vitesh plantacionet e drogës “parakalonin” para policëve

“Falë strategjisë antikanabis, sot nuk jemi si tre vite më parë”, kështu u shpreh kryeministri Rama në një aktivitet mbi të zhvilluar me drejtues të Policisë së shtetit për luftën kundër kanabisit.

Sipas Ramës lufta kundër kanabisit vijon çdo ditë si një sfidë e përditshme. Më parë “republika autonome” e Lazaratit, gëzonte një mbrojtje të shpallur politike. Madje as komunikatat e policisë nuk bëheshin publike. Kanabisi ishte i përhapur në të gjithë vendin. Në 2013 shkatërrohej vetëm 7% e kanabisit ndërsa sot shkatërrohet deri në 98%. Plot 100 milionë euro, janë sekuestruar aktualisht nga kanabisi- tha Rama.

Ai përmendi edhe shumëfishimin e bashkëpunimit midis policisë shqiptare dhe asaj italiane. Rama tha se ato ndërveprojnë në kohë reale dhe kanë kapur sasi shumë më të mëdha sesa kapeshin 3 vite më parë.

“Ne nuk jemi këtu për një paradë triumfi. Ne duhet ta shikojmë fenomenin në sy dhe të përballemi me këtë fenomen. Pjesë e dobësive është edhe korruptimi i punonjësve të policisë, drejtuesve apo shefave të komisariateve, të përfshirë në mënyrë kriminale me këtë rrjet. Duhet ta shikojmë në sy këtë fenomen. Kjo nuk është dobësi, por një forcë për tu përballur me këtë dobësi” tha Rama.

Kryeministri  tha se policia e shtetit është një institucion shumë herë më i besuar, ndryshe nga 3 vite më përpara.

“Kjo qeveri ka një plan veprimi që synon futjen e një faze të re dhe nxitjen e një veprimtarie institucionale për ti dhënë një goditje shkatërrimtare kanabisit.Ky plan garanton një proçes transparent, ku çdo institucion do të marrë pjesën e vet të përgjegjësisë, ashtu sikurse edhe partneret tanë ndërkombëtare do të marrin pjesën e vet të përgjegjësisë.Në fund të këtij viti ne do rregjistrojmë një triumf të shtetit, të policisë ndaj këtij fenomeni, i cili mund të mos zhduket tërësisht por do të relativizohet absolutisht” tha Rama.

Rama ndër të tjerash theksoi se sot policia e shtetit ka kapacitet maksimal për ta kontrolluar këtë territor metër për metër, pasi Shqipëria nuk është shumë e madhe.

Problemi i vetëm sipas tij është vetëm tek angazhimi më i madh, apo vendosmëria më e madhe për ta luftuar këtë fenomen./Nga A.Z Copyright TiranaPost.al