Aktualitet

Rama: Një këngë labe për zgjedhjet dhe 1 minutë heshtje për PD-në

Kryeministri Edi Rama, si kandidat për qarkun e Vlorës, nisi fushatën zgjedhore me një këngë labe, ndërsa ju kërkoi të gjithë të pranishmëve të mbanin një minutë heshtje për PD-në, që sipas tij ka ikur në një drejtim të paditur.

Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 18 qershorit. Kryeministri Edi Rama nga Pallati i Sportit të Durrësit (qyteti që ka zgjedhur për hapjen e fushatës) tha se këto zgjedhje janë historike, sepse më 18 Qershor nuk do të votojnë thjesht kush do t’i qeverisë por do të votojnë se cila do të jetë Shqipëria që duan.

"Dëgjojeni mirë këtë, 18 Qershori është si ajo kënga e vjetër labe, 'As për mua, as për ti, por për të madhen Shqiptari'."

Ndërsa duke ju drejtuar Partisë Demokratike dhe bojkotit të zgjedhjeve nga ana e saj, Rama tha se ajo ka ikur në një drejtim të paditur, duke theksuar se ndjen keqardhje që nuk do të jetë në zgjedhje.

"Tani heshtje. PD, partia që lindi si partia e lirisë dhe shpresës, sot ka ikur në drejtim të paditur. Ka vendosur të dalë nga zgjedhjet, të udhëhequr nga frika, më e madhe se një kope lepujsh në bark, nga drejtësia."

rama

Fjala e Kryeministrit Edi Rama.

Sot mund të them se kam bërë gjatë detyrës sime gjithçka munda, por jo gjithçka doja. Faleminderit grupit të deputetëve socialistë, veçanërisht Namik Dokles, Arta Dades që dhanë gjithçka mundën në betejën politike. Faleminderit deputetëve që nuk do të jenë këtë herë pjesë e përfaqësuesve tanë, por do të jenë pjesë e ekipit në role të tjera.

Sot është Dita e Europës, dita e projektit më fantastik. Sot është dita jonë, dita e shpresës. Sot është dita e PS, por zgjedhjet këtë radhë janë historike, për më shumë se 1 mandat, për më shumë se 1 dekadë. Sepse më 18 Qershor nuk do të votojnë thjesht kush do t’i qeverisë por do të votojnë se cila do të jetë Shqipëria që duan.

Dëgjojeni mirë këtë, 18 Qershori është si ajo kënga e vjetër labe, “As për mua, as për ti, por për të madhen shqiptari”.

Tani heshtje. PD, partia që lindi si partia e lirisë dhe shpresës, sot ka ikur në drejtim të paditur. Ka vendosur të dalë nga zgjedhjet, të udhëhequr nga frika, më e madhe se një kope lepujsh në bark, nga drejtësia. Mbyllur në një bunker plastmasi, prej ku i ka shpallur luftë mullinjve të erës, kujtdo. Jo mua, por SHBA, BE, Shqipërisë. Nuk duan BE sepse nuk duan Vettingun, nuk duan zgjedhje sepse nuk duan drejtësi. Dhe e dinë këtë shumë mirë, pa votuar Vettingun nuk i dalin përpara asnjë shqiptari për t’i kërkuar votën. Prandaj duan të hedhin në erë zgjedhjet për të hedhur në erë Vettingun. Më vjen keq që erdhi puna deri këtu. Bëra çmos që kjo të mos ndodhte. Dhe e di që shumëkush nuk është ndjerë mirë me lëshimet e mia. Merre me mend Erjon Braçe. Nuk e ka pritur mirë tërheqjen në Kavajë. Ne socialistët, pse jo, jemi dukur të dobët përpara agresionit të tyre. Por kam dëgjuar shumë, edhe nga ju, që thonë sikur të ishin ata, sikur të ishte ai. Jemi krenarë që ne nuk jemi si ata.

Ne nuk jemi njësoj, edhe pse jemi vëllezër dhe motra të të njëjtit gjak, që flasin të njëjtën gjuhë. Ata hallin e kanë tek divorci i pamundur me gjyqtarët e korruptuar. Vendosën të vrasin veten. Vetë e zgjodhën politikën e inatit, tani le ta vuajnë inatin e politikës. Më dhimbset më shumë Shqipëria, ku partia më e madhe e opozitës sillet si parti anarkiste. Dhe t’u them të drejtën, doja shumë t’i kishim përballë më 18 Qershor, t’i mundnim këtë herë me votën e lirë të shqiptarëve edhe më thellë.

Tani nuk na ka mbetur gjë tjetër, veçse të lëmë pas të kaluarën dhe të shohim përpara. Dhe zgjedhjet do bëhen më 18 Qershor./ E.D & E.C/ Copyright Tiranapost.al