Aktualitet

Rama nga Berati: Qershori nuk do të kthehet në ‘97

E mbajti premtimin. Nga qyteti i një mbi një dritareve, Edi Rama në një aktivitet me të rinjtë e Partisë Socialiste deklaroi se zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor, pasi arsyeja e vërtetë e bojkotit të demokratëve nuk është as reforma zgjedhore, as zgjedhjet e lira dhe të ndershme por është frika nga drejtësia. “Duke qenë se janë tmerrësisht të trembur nga reforma në drejtësi, duan që në Shqipëri të mos bëhen zgjedhje dhe duan t’i trembin të gjithë ata që jetojnë në këtë vend se po nuk u bë siç duan ata, këtu do bëhet nami. Të jeni të sigurt se këtu nuk do të bëhet asgjë tjetër përveç vullnetit të burrave dhe grave të këtij vendi që e duan Shqipërinë si gjithë Europa”, deklaroi Rama nga Berati, ku nuk harroi të vinte në dukje edhe transformimet e kësaj zone përgjatë katër viteve.

Gjithashtu ai bëri një paralelizëm me vitin e mbrapshtë 1997, kur tha se nuk do të lejojë që Shqipëria të kthehet 20 vite pas, ashtu siç duan ata që janë futur në çadër. “Shumë nga ju këtu nuk kishin lindur 20 vite më parë. Shumë nga ju nuk e dinë fare se çfarë ka ndodhur 20 vite më parë. Ndërkohë prindërit tuaj akoma nuk e kanë harruar se ku e çoi Shqipërinë dhe kursimet e tyre marrëzia e tyre që sot janë futur në bunkerin prej plastmasi dhe që kërcënojnë se do ta kthejnë Shqipërinë atje ku nuk ka për t’u kthyer më kurrë sepse në gjithë këto vite njerëzit e ndershëm të këtij vendi, falë edhe ndihmës së jashtëzakonshme, të familjarëve në emigracion, e kanë ngritur bazën e një ekonomie familjare që duhet zhvilluar dhe nuk mund ta lëmë të rrënohet”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha se megjithëse është humbur shumë kohë duke bllokuar procesin e Vettingut, pas zgjedhjeve të 18 qershorit të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar do të marrin atë që meritojnë, duke pastruar sistemin e drejtësisë për të ndërtuar shtetin e së drejtës./E.U, Tiranapost.al