• Shqip
  • English
  • E premte, 22 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Rama në Gjenevë për negociatat: Ndihemi si një varkë në mes të detit, na e kanë marrë me forcë busullën


    “Në këtë moment, ndihemi si një varkë në mes të detit, pasi na e kanë marrë me forcë busullën. Për ne ka shumë rëndësi ta dimë me saktësi”, tha kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij në Forumin Ekonomik të Davos-it në Gjenevë.

    Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh hapur për nevojat që kanë në mënyrë reciproke BE dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor.

    “BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa ne kemi nevojë për BE. Ata që nuk e kuptojnë këtë nuk kuptojnë mirë çfarë është në lojë apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes. Rajoni ka shumë potencial për të shfrytëzuar dhe ne do të bëjmë më të mirën tonë, duke rritur bashkëpunimin rajonal dhe duke bërë më të mirën tonë për të shmangur pasojat negative që sjell ky vendim i verbër, apo mosvendim i tetorit në opinionin publik apo në të ardhmen tonë”, tha Rama ndër të tjerash.

    Fjalimi i kryeministrit Rama:

    Së pari dua të theksoj se nga sa mbaj mend për këtë iniciativë, kjo ishte mbledhja më e mahnitshme dhe e dobishme në drejtim të zgjerimit të këtij forumi.

    Gjithashtu faleminderit që na mundësuat pjesëmarrjen në një audiencë në krah të personave kyç nga vende kyçe të Bashkimit Europian, të cilët përmes shpjegimeve dhe opinioneve të tyre na ndihmuan të kuptojmë më shumë, megjithëse ende na duhet të kuptojmë shumë më shumë.

    Në këtë moment, vërtetë që ndihemi si një varkë në mes të detit, pasi na e kanë marrë me forcë busullën. Për ne ka shumë rëndësi ta dimë me saktësi. Është shumë e qartë që, nëse procesi i integrimit europian është karakterizuar në 5-6 vitet e fundit, të paktën, nga gjithmonë e më shumë paparashikueshmëri, ajo që ndodhi në tetor e bëri plotësisht të paparashikueshme. Ndërsa flasim, nuk kemi më mundësi të dimë se çfarë duhet të bëjmë për të marrë atë që kërkojmë, pasi është e qartë që natyra e vendimeve në Këshillin Europian është shumë më e përcaktuar nga vetë vendet anëtare të BE-së, sesa nga çfarë bëjmë, apo nuk bëjmë ne. Përcaktohet shumë më shumë nga sesi ata duan të jetë, apo të mos jetë BE-ja, sesa nga çfarë duan që të bëjmë, apo të mos bëjmë ne.

    Sigurisht, vendet tona nuk janë gati të anëtarësohen, prandaj, nëse loja e “meritokracisë” shndërrohet në “lojën e fajësimit”, sa herë që mungon kapaciteti për të nxjerrë një vendim konsensual, kjo gjë nuk i sjell asnjë të mirë BE-së dhe procesit.

    Ne nuk e nisëm këtë proces sepse dikush në Berlin, në Paris, apo në Bruksel na detyroi, por e nisëm sepse ishte saktësisht ajo që i duhej popullit tonë, kombit tonë e fëmijëve tanë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë për ta. Megjithatë ne e dimë edhe që rajoni ka shumë potencial për të shfrytëzuar dhe ne do të bëjmë më të mirën tonë, duke rritur bashkëpunimin rajonal dhe duke bërë më të mirën tonë për të shmangur pasojat negative që sjell ky vendim i verbër, apo mosvendim i tetorit në opinionin publik apo në të ardhmen tonë.

    Sigurisht, për Aleksandrin është më e thjeshtë, sepse, siç e tha, vendi i tij nuk është aq euro-optimist, por nuk mendoj se, meqë ne e kemi më të vështirë, duhet të qajmë, apo të lutemi sepse në fund të fundit e bëjmë për fëmijët dhe brezat e ardhshëm, jo për këtë brez të liderëve në Europë.

    E fundit, por jo për nga rëndësia, është absolutisht thelbësore ta themi që Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, apo Europën Juglindore, po aq sa Europa Juglindore ka nevojë për Bashkimin Europian. Ata që nuk e kuptojnë këtë nuk kuptojnë mirë çfarë është në lojë, apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes.​/ Tiranapost.al

    Rama në Zvicër për Forumin e Davos-it, por në fillim përshëndet me video me një shqiptar

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post