• Shqip
  • English
  • E diel, 8 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Radha e solidaritetit për të gjallët


    Neve na ka ndodhur për herë të parë një tragjedi nga e cila nuk shpëtoi askush, të paktën shpirtërisht e psikologjikisht.

    Tragjedia ka një radhë dhe ajo kulmoi me të vdekurit nën rrënoja, por po vijon me ne, që po kalbemi mbi to duke folur e mbajtur në sy vetëm këtë temë dite. Fjalë goje është dhe të gjithë po zhvillojmë sjellje të vogla skizofrenike, që kur acarohemi me atë që lëviz këmbën më shumë sa duhet. Kemi absolutisht të drejtë të jemi të trembur dhe tortura që po na bën ajo pllaka tektonike është e pakrahasueshme me luftën, me urinë, me një avion që rrëzohet, me një sëmundje të ligë. Pabesia e pllakës dhe paparashikueshmëria e saj janë filmi më i keq i njeriut mbi tokë.

    Por ka një radhë edhe në këtë liri të pakufishme për t’u trembur dhe të paktën media duhet të pushojë së ofruari me funebritet çdo detaj, fytyrë, fëmijë, prindër, histori që të shpojnë zemrën tej për tej. Prej dy ditësh në Tiranapost.al vendosëm që të mos e vazhdonim më historinë e kujës, por nuk mjafton. Ky është një hap që kërkon solidaritetin e të gjithëve, që të mos vazhdojmë më të tjerrim intervista, histori, funerale, sepse ata që shpëtuan po çmenden sa nga toka e sa nga retorika e njëjtë çdo ditë.

    Artistët, që janë influencer, do duhet të nisnin disi jetën e tyre, sepse nuk u dhemb vetëm atyre zemra, përkundrazi në këtë fatkeqësi, siç u pa, s’mbeti më njeri i mirë a njeri i keq. Nuk patë më ndarje e krahasim.

    Ishim të njëjtë, të barabartë. Ishim të gjithë kandidatë për të vdekur a për të shpëtuar. Për t’u bërë më pas të gjithë kandidatë për ilaçe, për shkak të paranojës që zhvillon prania e lëkundjeve, ku duket sikur të gjithë ecim në një varkë, sidomos Durrësi e Tirana.

    Tani, i madh është ai që ndryshon temë, që ka kurajën të ecë para, duke mos harruar çfarë ndodhi apo çfarë ndodh ende, por kapja pas fatkeqësisë 24 orë në 24 është e sigurt që veç nga tërmeti s’na shpëton. Të lëvizim para sa të kalbemi mbi rrënojat e fatkeqësisë. Pak optimizëm!

    P.S. Të shtunën në mbrëmje ngrita bredhin. Nga fundi, kur po vija një fjongo, ra tërmeti 4.4 ballë. Si u ndjeva unë? Njësoj si një milion e gjysmë të tjerë.
    Bredhi vazhdon të qëndrojë i gëzueshëm me topat e dritave që bëjnë fap-fap dhe as e ka idenë ç’po heqim ne. Kujton se kanë ardhur festat😉!

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]/ Tiranapost.al. 

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post