• Shqip
  • English
  • E enjte, 18 Prill 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Te gjitha

    Questo piccolo grande amore – Na ishte njëherë


    Ata janë fajtorë, i kanë shkatërruar adoleshencën, se jetën nuk do ta thoja kurrë, pasi shpresoj që një ditë vajza do ta kalojë këtë traumë, nëse është e vërtetë ajo që thonë psikologët por edhe populli “në jetë çdo gjë kalon”. Nuk di nëse edhe ky rast mund të ketë shpresë, por do lutesha që një ditë po. Ndoshta shërohen vërtet plagët, ose flenë një ditë.

    Nga Mira Kazhani/ Para se të ulem të shkruaj, kam bërë disa telefonata me gjyqtarë që njohin çështjen, gazetarë që kanë pasur në dorë dosjen, dhe nuk arrij dot të them me siguri se, nëse ngjarja e Kavajës nuk do ishte bërë publike, do të kishte pasur këtë përgjegjësi për të ndëshkuar fajtorët, që janë gjithashtu disa adoleshentë që nuk dinë, nuk i kanë edukuar as në shtëpi e as në shkollë për pasojat e seksit, shantazhit dhe videos që i bënë një moshatares së tyre.

    Ata janë fajtorë, i kanë shkatërruar adoleshencën, se jetën nuk do ta thoja kurrë, pasi shpresoj që një ditë vajza do ta kalojë këtë traumë, nëse është e vërtetë ajo që thonë psikologët por edhe populli “në jetë çdo gjë kalon”. Nuk di nëse edhe ky rast mund të ketë shpresë, por do lutesha që një ditë po. Ndoshta shërohen vërtet plagët, ose flenë një ditë.

    Unë kam një mbesë 16-vjeçare, kam dy nipër dhe vetë jam grua. Kjo është një ngjarje që të ngjeth mishin e që nuk do ta kishim mësuar nëse Sali Berisha nuk do kish nxituar të shkruante statusin (jo se i dhemb shumë për familjen apo vajzën, por se ka hall të përdorë një tjetër dramë vajze për të vrarë me shpirtin e vogël të saj pashpirtësinë e qeverisë së kundërshtarit, paaftësinë dhe kaq).

    Sigurisht pishtari nuk është ai, por deri diku me të keqen e tij ka bërë në pamje të parë mirë duke shkaktuar një tërmet në opinionin publik. Edhe pse nuk ka asnjë të dhënë që rrëzon arrestimin, i cili është bërë në të njëjtën datë më statusin e Berishës. Po këto detaje janë vrima e fundit në këtë histori që futet ujë nga të gjitha anët; familja, shkolla, policia, prokuroria, teknologjia.

    Sot historia është më e qartë. Familja e ka denoncuar vonë nga turpi, policia ka reaguar vonë nga indiferenca, Berisha ka reaguar shpejt ngaqë s’ka zemër. Edhe nuk është përdhunuar nga 7 adoleshentë në të njëjtën kohë, i mjaftojnë të mjerës ata të 7-të në ditë të ndryshme, nën presionin dhe lutjet e të dashurit, që pretendon se është xhiruar nga shoku pa dijeninë e tij. Një dhuratë që ia kërkoi për ditëlindje vajzës, e që u kthye në një makth të tmerrshëm për vajzën sigurisht, ndoshta edhe djali ndjen sot peshën e arij takimi që u ndryshoi dhe shënjoi adoleshëncën.

    Çfarë do kishin bërë vajzat e tjera në këtë rast? Po nënat? Po baballarët? A dimë ne si të sillemi me teknologjinë sot? Si të ruajmë të afërmit tanë para episodeve, para jetës që ndodh me të mirën dhe të keqen, që falë teknologjisë mund të bëhen nga një makth që e di veç ti dhe ata, në një turp kombëtar? Asnjë s’e di, dhe asnjë nuk gjykon dot me ekzaktësi apo absolutizëm. Shkolla është prapë deficitare, edukatorët dhe prindërit nuk janë gati për t’u përballur, dhe sigurisht policët janë shumë larg vetëdijes së detyrës për të mbrojtur një vajzë të shantazhuar dhe të dhunuar seksualisht për dy muaj rresht. Është e rëndë që kemi merak të shpëtojmë policët para vajzës. Të rriturit kanë më shumë faj sesa adoleshentët, që janë dhe s’janë mes nesh me hormonet, kuriozitetin, agresivitetin e tyre. Dashuria e parë e vajzës së vogël nga Kavaja (sepse është vërtet e vogël, o Zot sa e vogël edhe për të bërë dashuri e jo më për të ecur në kërë kalvar të përdhunshëm erotik) është për të gjithë ne një alarm për fikjen dalëngadalë të dashurisë falë teknologjisë. Nëse ai që ndezi kamerën nuk do ta kishte një mundësi të tillë, ndoshta historia do të ishte veç një seks i parakohshëm me shokun e klasës, që mund t’i mbetej peng e mund të mos i bënte përshtypje.

    Prandaj sot kjo histori nuk ka mëkim as nga studiot televizove, as nga drejtësia, sepse e keqja është bërë. Sot duhet të flasim prapë për ndërhyrjen në tekstet shkollore, në shtëpi, në ligje, në polici, duhet të mësojmë nga fillimi rregullat e reja të botës. Të përshtasim kodet, rregullat dhe frikën e një shoqërie në adaptim me atë që dikton teknologjia dhe koha e re e të rinjve që rriten me modele nga interneti, me këngë e tekste hip-hopi, me faqe porno, me prindër që duket sikur kanë jetuar një shekull përpara rininë, dhe nuk e kanë aq gabim. Më shumë se kurrë kjo është koha kur brezat i ndan një shekull. Jeta në 20 vitet e fundit ka ecur sa për 200 vite njëherësh. Kaosi i informacionit, modelet, interneti po na e dështojnë familjen, privatësinë, shkollën, kopshtin, policinë, gjykatën, prokurorinë, dhe sidomos dashurinë.

    Ne nuk votuam për internetin, askush nuk na ka pyetur siç pandehim se pyetemi në demokraci. Ne as nuk e njohim më kohën ku jetojmë dhe jemi të gjithë të papërgatitur, ndaj zgjidhja është veç edukimi dhe komunikimi. Vajza e Kavajës pa kamerën, pa videon që u bë virale në shkollë, nuk do ishte viktimë, thjesht një vogëlushe që i bëri dhuratë të nxituar trupin e njomë shokut të shkollës. Po turpi, turpi është më i fortë së trupi, trupi… për fat të keq. Se dashuri të hershme ka patur ngahera. A s’jemi ne të viteve ’80-’90 që dëgjonim “Questo piccolo grande amore”. Ajo vajza e tekstit ishte veç një 14-vjeçare, dhe ne e këndonim dhe ëndërronim për dashurinë, puthjen e parë, etj etj. Por po flasim për një shekull më parë. Tani asgjë ose shumë pak i ngjan asaj që na mësuan! /Tiranapost.al/