25 Rreshtat e Mirës

Pyetjet e Xhulias!

Mira Kazhani/ Sot kisha vendosur të shkruaja për konfliktin. Konfliktin, nga i cili lindim çdo ditë dhe mbyllim çdo mbrëmje. Ka një gjendje sherri kudo; në futboll konflikt, artistët në konflikt, Osumi në konflikt, pedagogët në konflikt (nuk marrin rrogat), parlamenti po e po në konflikt, me Europën në konflikt, me Donald Lu në konflikt, me Amerikën në konflikt, me veten në konflikt. Ke frikë të shohësh celularin, se chat-tet kanë më shumë konflikt/sqarim sesa komunikim. Është një çmenduri sesa shumë konflikt gjenerojmë ne çdo ditë. Ndoshta kështu është e gjithë bota, si ato telenovelat indiane, që nis seria dhe mbaron me një konflikt, që pasi zgjidhet, hap një tjetër brenda së njëjtës seri. Tmerr!

Vendimi për të mos shkruar, të paktën sot, për kaq shumë konflikte, ishte vepra që më bëri të kërcej në një tjetër shinë; në dashuri!

Donatela, një vajzë e re, që punonte në departamentin e marketingut, në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, më kish shkruar prej javësh për një leksion të hapur për median online, me studentë të vitit të fundit atje, dega marketing. Kisha dhënë fjalën dhe me një mezidëshirë u nisa drejt Durrësit, ku pas një ore e gjeta veten para një auditori me sy të bukur, të vëmendshëm, të interesuar, të dëgjueshëm, kuriozë dhe pa pikën e konfliktit. Donatela u tregoi atyre, me krenari, se sa e mirë isha unë, që nuk kisha kërkuar asnjë qindarkë për këtë takim. Zakonisht të gjithë e bëjnë një kërkesë të tillë. Paratë, për studentët e marketingut, lektorë dhe mentorë, janë lëndë e parë e jetës, por, në fakt, kisha shkuar për 10 "like" më shumë për Tiranapost.al! Kushedi, ndoshta të rinjtë, duke na dëgjuar nga afër, jo nga dritarja e rrjeteve sociale, bëhen më të ndërgjegjshëm për lajmet që japim e opinionet që ndajmë në hapësirën e Tiranapost.al.

Foto me studentë dhe pedagogë të Universitetit "Aleksandër Moisiu"

Xhulia donte të dinte se a është frikë kur poston një lajm, që mund të jetë shkatërrues për protagonistin e ngjarjes?

-Xhulia, si fillim ta gëzosh emrin, ke tamam emër gruaje!

Nuk kam frikë nga lajmet, të cilat shkatërrojnë jetën e një të korruptuari, tradhtari, maskarai, vrasësi, nga një punonjës që u dërgon mollë të kalbura fëmijëve jetimë, me tendera që blihen si mollë starkinge. Nuk kam frikë nëse botoj lajme që i shërbejnë shoqërisë, edhe pse, të them të drejtën, nuk kam ndonjë dëshirë të vdes në detyrë. Dua të plakem dhe të kem mundësi të shkruaj libra dhe të shoh kufomat e njerëzve të egër e të ligj, që do sjellë lumi.

Vajza në mes është Xhulia

-A do postoje jetën private të një ministri, të një personi publik, për arsye klikimesh?

-Xhulia, e dashur, puthjet e askujt nuk i bëjnë dëm shoqërisë. Konflikti po na shkatërron dhe mos ki merak, se nuk puthet më njeri. Ka kohë që ka dalë nga moda sevdaja. Makar të kishim kështu historish! Janë të bukura në thelb, por, për t'u bërë serioze nuk postoja kurrë edhe armikun më të madh në jetën personale, përsa kohë ajo nuk afekton shoqërinë.

Kështu, pati pyetje dhe qeshëm shumë me disa tregime që ishin të atypëratyshme. Më pas erdhi profesori i anglishtes, diku mbi të 60-at, që duhet patjetër të bënte orën e tij, se ndryshe na kapte konflikti. Në fakt, siç ia thashë edhe profesorit, ata e kishin zili se ai qe më kingu në sallë, kështu që na la të bënim selfie, foto, derisa na ngriu nofulla me dhëmbët jashtë.

Ledio gazmori

Dua të falënderoj veçanërisht të gjithë studentët që takova sot, vajzat po e po, por edhe djemtë, që nuk u sollën sikur nuk iu bënte përshtypje se ata janë burra dhe burrat s'merren me gra. Kjo e shtunë ishte si një sulm i universit, që donte të thoshte: Nuk ka vetëm konflikt, njerëzit të duan dhe të dëgjojnë, nëse tregohesh i mirë me ta. Pse dreqin e komplikojmë kaq shumë jetën...?! Copyright/ tiranapost.al