Ta thotë doktoreshë Silva

A mjaftojnë maskat e shtëpisë për një lëkurë të bukur?

A mjaftojnë maskat e shtëpisë për një lëkurë

Përshëndetje Dr. Silvana! Unë do doja shumë të kisha një lëkurë të bukur, mbi të gjitha pa rrudha. Jam 35 vjeç, e dua lëkurën time por nuk kam mundësi të shkoj në sallone estetike, të blej kremra të shtrenjtë e linja të njohura, edhe pse dëshiroj vërtet shumë të investoj për lëkurën. Në vend të tyre përdor shpesh maska me fruta, kos, vaj ulliri apo mjaltë, receta bukurie që unë i gjej në internet. Por një e njohura ime estetiste më tha se maska të tilla janë të mira por jo efektive, pasi molekulat e frutave apo produkteve të tjera janë të mëdha e nuk arrijnë të depërtojnë në poret e lëkurës. A do të thotë se po lodhem kot, se lëkura mund të trajtohet veç tek profesionistët dhe jo në shtëpi? Dhe a mund të më sugjeroni ju një trajtim natyral por efektiv? Faleminderit.

Përgjigjia e Dr. Silvana Mishtaku: Në praktikën e përditshme më pyesin shpesh për mirëmbajtjen e fytyrës në kushtet e shtëpisë apo me kremra dhe maska të ndryshme. Sigurisht sugjerimet që bëj varen nga gjendja aktuale e lëkurës të cdo individi si me linja kremrash ashtu edhe me trajtime profesionale në kushtet e klinikes. Por duke folur në përgjithësi duhet të jemi pak më të qartë me pritshmëritë. Nuk mund t’ju them se po lodheni kot me aq sa po bëni për lëkurën tuaj, por sigurisht nuk mjafton. Pastrimi profesional i pikave të zeza dhe të bardha të lëkurës është minimumi i mundshëm që mund të bëni. Shpeshtia e tij varet nga ngarkesa e lëkurës tuaj. Krahas kësaj, ose nëse nuk ju shqetësojnë pikat e zeza në fytyrë, largimi i qelizave të vdekura nga sipërfaqja e lëkurës nëpërmjet “peeling kimik” (aplikim i acideve eksfoliative në sipërfaqe të lëkurës) është një alternativë trajtimi që mund të kryeni në periudhën e dimrit. Përsa i përket rigjenerimit të thellë të lëkurës, hidratimit të saj, homogjenizimit të ngjyrës  dhe stimulimit të kolagjenit që me kalimin e viteve pakësohet, mund të kryhet shumë më shpejt dhe në mënyrë më efektive me trajtime profesionale si mezoterapia (injeksione me vitamina) dhe injeksione me plazma. Duke qenë se këto trajtime konsistojnë në injektimin e lëndëve rigjeneruese në mezodermë (shtresën më e thellë e lëkurës), janë më intensive në ushqyerjen dhe rigjenerimin e lëkurës sesa thjesht aplikimi i kremrave apo maskave të ndryshme në sipërfaqe të saj.

Gjithashtu duhet thënë se këto trajtime kanë kohë minimale rekuperimi (disa orë deri në 1-2 ditë) dhe nuk modifikojnë pamjen apo mimikën tuaj, duke ju bërë të dukeni thjesht më e freskët dhe me pamje më të çlodhur e po aq natyrale.

Aplikimi i tyre në mënyrë periodike, me shpeshti dhe numër seancash në varësi të lëkurës tuaj, mund t’ju kursejë një pjësë të kohës që i kushtoni trajtimeve në kushtet e shtëpisë.