Aktualitet

Punësimi i të rinjve sipas Blushit

Programi i Ben Blushit është orientuar shumë drejt ekonomisë. Edhe më parë, ndër 20 propozimet e bëra, pjesa dërrmuese i takonin zhvillimit ekonomik. Këtë herë, nëpërmjet një statusi në Facebook, Blushi ka folur për 30,000 vendet e punës në sektorin e call center, të cilat rrezikohen të mbyllen pas miratimit të ligjit italian që i kthen kompanitë në Itali.

Blushi thotë se LIBRA është shumë e ndjeshme ndaj këtij problemi, pasi shumë prej anëtarëve të saj punojnë në sektorin e call center. “Nëse disa prej këtyre kompanive do rikthehen duke kufizuar apo mbyllur aktivitetin e tyre ne Shqipëri, kjo do ishte një katastrofë për mijëra familje. Qeveria e Rilindjes nuk ka bërë asgjë për ta mbrojtur këtë sektor të ekonomisë sonë duke humbur cdo mundësi të negoicojë me Qeverinë Italiane”, shkruan ai.

Eshtë i vërtetë fakti se sektori italian call center ka qenë një sheshues i përkohshëm i plagës së papunësisë për të rinjtë, pasi sot numërohen rreth 25,000 të punësuar në të gjithë vendin. Që në muajin dhjetor kur Italia bëri publik planin për rikthimin e këtyre vendeve të punës në atdhe, qeveria dhe shoqatat e biznesit bënë disa përpjekje për të negociuar me qeverinë italiane, por përgjigja ishte sa diplomatike aq edhe e prerë: Kjo është një politikë e shtetit italian, i cili kërkon të rikthejë vendet e punës në Itali për të rinjtë italianë.

Gjithashtu, Blushi premton se “LIBRA do bëjë gjithçka për te siguruar këto vende pune, duke përfshirë edhe rishikimin e taksave me qëllim që kompanitë të mos largohen. LIBRA beson se pa punë nuk ka taksa dhe se taksat duhen përdorur për të krijuar punë. Na duhen vetëm edhe pak ditë për të mbrojtur punën nga qeveria e Rilindjes që për katër vjet shërbeu si call center e krimit.”

Këto kompani call center nuk po largohen nga Shqipëria për shkak të taksave, por për shkak të një ligji detyrues nga shteti italian. Për këto kompani, Shqipëria gjatë këtyre 10 viteve të fundit ka qenë një parajsë e vërtetë, si për nivelin e taksave ashtu edhe nivelin e pagave. Vetëm një javë më parë ishin kompanitë më të mëdha italiane si Vodafone, Fastweb, Tim apo Enel që firmosën një protokoll bashkëpunimi për të mos kontraktuar më kompani marketingu call center jashtë Italisë.

Natyrisht që programi i Blushit për ekonominë është shumë ambicioz, por përtej retorikës, shifrat janë kokëfortë. Call Center është një sektor që prej më shumë se 10 vitesh shitet si premtim elektoral nga ato që Blushi i quan “parti të vjetra”, ndaj tashmë është e domosdoshme që zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe krijimi i vendeve të punës të orientohen drejt sektorëve me potencial brenda Shqipërisë, për të mos mbetur peng të asnjë politike proteksioniste të shteteve të huaja./E.U, Tiranapost.al