• Shqip
  • English
  • E enjte, 18 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Të gjitha

    Pse trishtohemi kur vdesin aktorët? Ne as nuk i kemi takuar…


    Nuk e mbaj mend mirë dhe s’besoj ta kem ndjekur rregullisht si Zhaden dikur, por Salome më kujtohet vetëm me skenën e të dashurit që rikthehet në derë, me trupin e fshehur pas një buqete gjigante trëndafilash të kuq.

    Nuk ka vajzë në botë që nuk e ka ëndërruar këtë skenë, ose të paktën kur e ka parë me sy ka provuar një flutur në stomak, një sëmbim në kraharor, që po të ishte fosforeshent, do dukej një shigjetë e artë.

    Edith Gonzalez vdiq dje në një spital të Meksikës dhe mediat atje folën për aktoren e famshme të telenovelave, për frëngjishten që e fliste bukur, për librat që lexonte, për të bijën që i kish lënë një letër, tek e cila u drodha edhe vetë.

    Ne vuajmë kur vdesin të famshëm që i kemi dashur. Vuajmë edhe kur i shohim që plaken këngëtarët, aktorët. Apo edhe Bill Clinton me Madeleine Albright, në Kosovë, të jepnin një ndjenjë nostalgjie kur shihje flokët e bardhë, të ecurën e avashtë nga vitet. Sepse njerëzit që na shoqërojnë në kohën tonë janë një pjesë e jona. Me ta plaket edhe një kohë e jotja, një kujtim, një ditë, vit apo dekadë që ke kaluar përmes me ta në sfond.

    Pra, siç thotë Milan Kundera tek “Lehtësia e papërballueshme e qenies”, njeriu është një figurë e rrethanave, një kryqëzim fati. Ti mund të ishe dashuruar 5 minuta më vonë me shokun a shoqen tjetër të jetës. Ne jemi miliona mundësi dhe mes tyre jetojmë njërën apo disa. Ndaj ne duhemi dhe i kemi të afërm edhe ata që nuk i takuam kurrë, sepse është po aq pjesa e jona ëndrra, dashuria lufta dhe paqja e tyre.

    Sa herë vdes një njeri që e do në distancë ose e ke dashur, vdes edhe një kujtim i vogël brenda trurit tënd. Ne jemi kujtesë, para së gjithash.

    *Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]

    Të gjithë ata që ëndërruan me Salomen të trishtohen pak, ajo sot vdiq

    “Gjithmonë do jemi të kapura prej dore…” Letra që aktorja e Salome-së i shkroi vajzës para se të vdiste