• Shqip
  • English
  • E hënë, 9 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Ide Sociale Të gjitha

    Pse të gjithë nxënësit kërkojnë të mësojnë gjermanisht?


    Nga rusishtja tek italishtja dhe anglishtja: Si kanë ndryshuar dëshirat e nxënësve shqiptarë për gjuhët e huaja dhe pse sot po kërkojnë gjermanishten. A është ky një paralajmërim për emigrim masiv apo tregues se anglishten tashmë e dinë dhe kërkojnë të diferencohen me një gjuhë tjetër?

    Rusishtja ishte gjuha që mësohej në gjithë shkollat e vendit gjatë diktaturës. Megjithëse një zgjedhje e detyruar, përfaqësonte edhe një ndër të paktat mundësi për të qenë në kontakt me literaturën e huaj. Me rënien e sistemit, vendin e saj e zuri italishtja. Jo më shumë në shkolla se sa si nevojë e njerëzve për t’u informuar nga kanalet italiane, për të emigruar në anën tjetër të Adriatikut apo për të bërë tregti me ta. Nuk vonoi shumë që brezi i viteve 2000, siç quhen ndryshe edhe Millennial, ta braktiste italishten për anglishten. Interneti në shtëpi dhe kurset pas shkolle u bënë faktorët kryesorë që i kanalizuan drejt gjuhës globale, ashtu sikundër edhe të rriturit nxitonin ta mësonin për arsye që varionin nga një vend pune më i mirë tek emigrimi në SHBA, Kanada dhe Angli. Por prej disa kohësh po ndodh një fenomen tjetër: Të gjithë kërkojnë gjermanishten.

    Sipas të dhënave të fundit që vijnë nga mësuesit dhe drejtorët e gjimnazeve, të rinjtë gjithmonë e më shumë kërkojnë të studiojnë gjermanishten në shkollë dhe jo më anglishten, frëngjishten apo italishten.

    A ndodh kjo sepse të rinjtë janë të “bombarduar” nga anglishtja, ndaj kërkojnë të mësojnë edhe një gjuhë tjetër? Edhe mund të jetë. Ata po kërkojnë të diferencohen nga masa, me një gjuhë që është kthyer në gjuhë biznesi.

    Apo mos ndoshta Gjermania sot përfaqëson ëndrrën e të rinjve shqiptar? Nëse do t’i besojmë atyre që dëgjojmë lart e poshtë, me siguri që po. Me Anglinë që ndodhet me një këmbë jashtë Bashkimit Europian, me Italinë në krizë strukturore prej disa vitesh, me Francën që është në kërkim të lavdisë së dikurshme, busulla e të rinjve shqiptarë drejtohet nga e vetmja qartësi që ka sot Europa, Gjermania.

    Një vend social e njëherësh motorr i industrializmit global. Një minierë mundësish për punësim dhe një jetë më të mirë, me koston që ashtu si infermierët, shumë të tjerë të vazhdojnë të lënë Shqipërinë. Gjithsesi, i sigurt është fakti se nuhatja e të rinjve shqiptarë nuk para gabon dhe trendi i ditëve të sotme është gjermanishtja./Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post