Showbiz

Pse s’po martohemi?

Ndryshe nga prindërit dhe gjyshërit, që martoheshin në moshë fare të hershme, qoftë edhe përmes fotografisë, të rinjtë e sotëm kanë frikë nga martesa. Të paktën kështu duket. Sipas statistikave të INSTAT numri i martesave ka pësuar rënie në të gjithë Shqipërinë, përveçse në Berat (është rritur me 9.6% në vitin 2016 krahasuar me një vit më parë). Tirana dhe Shkodra shënojnë rënien më të madhe të numrit të martesave dhe pyetja që lind krejt natyrshëm është: çfarë po ndodh?

Tiranapost.al ka kontaktuar sociologun Ergys Mërtiri për të kuptuar disa nga arsyet që mund të ndikojnë direkt ose indirekt në këtë tendencë të ditëve të sotme.

ergys mertiri

Sipas Mërtirit, ulja e numrit të martesave vjen natyrisht edhe si pasojë e rritjes së bashkëjetesës, por në përgjithësi vjen nga një prirje e lartë për të mos marrë përgjegjësi, që ndeshet kudo në shoqëritë moderne.

"Bashkëjetesa, në këndvështrimin e shumë prej të rinjve, duket më e çlirët nga përgjegjësitë, ajo mund të zgjidhet kollaj nga shumë kosto, morale, ligjore, financiare etj. Kështu, shumë çifte të reja zgjedhin të krijojnë një gjysmë martesë, pa preokupimet që vijnë nga martesa e plotë. Mirëpo, kjo ka pasojat e saj. Së pari, në bashkëjetesë ka më pak predispozitë për të bërë fëmijë, për shkak se fëmijët janë një përgjegjësi shumë e madhe. Gjithashtu bashkëjetesa nuk ofron garancitë që ofron martesa në çift, duke ua bërë më të lehtë partnerëve rrugën e kthimit mbrapsht dhe ndërprerjes së lidhjes. Ndërkohë, bashkëjetesa mbetet më e paaftë të ofrojë predispozitë nga ana e partnerëve për të sakrifikuar për njëri-tjetrin e për të kaluar vështirësitë e mundshme”.

martesa 2

Aspekti ekonomik është një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në uljen e martesave. Sociologu Mërtiri e shpjegon kështu:  “Ekonomia është një prej faktorëve të rëndësishëm që prodhon këtë realitet. Por më shumë se mungesa e të ardhurave, ajo që çon këtu është pasiguria e të ardhmes lidhur me punësimin dhe garantimin e mjeteve financiare. Shumica e të rinjve janë të pasigurtë nëse punën që kanë sot do ta kenë edhe në të ardhmen dhe kjo ofron pasiguri të mëdha që reflektohen edhe në zgjedhje të tilla. Pasiguria është një prej problemeve më të mëdha që i bën problematike zgjedhjet e njerëzve”.

Kjo problematikë sociale, jo vetëm shqiptare, ka bërë që ekspertë në mbarë botën të ngrenë kambanat e alarmit. Sipas tyre, një shoqëri që braktis martesën dhe më keq akoma, ul lindshmërinë, do të plaket më shpejt, çka do të ketë një kosto sociale dhe ekonomike për vendet dhe qeveritë.