Aktualitet

Pse Nikollë Lesi nuk e tret dot një bashkim të mundshëm Rama-Basha

Pse Nikollë Lesi nuk e tret dot një bashkim të mundshëm

Nga Nikollë Lesi

Tragjedia e tërmetit nxori në skenë, përveç shumë problemeve të mëdha me keqadministrimin e territorit prej ndërtimeve pa standarde, me inekzistencën e Emergjencave për tërmetet dhe me maninë e ndërtimeve pa studime gjeologjike, por tregoi sa djallëzisht u përdor dhe po përdoret tragjedia për kredo politike.

Kjo është, më e pakta, hipokrizi prej palëve politike.

Nëse shikojmë këto ditë kryeministrin Rama dhe liderin e opozitës Basha vërehet se janë aktorë, bile i pari “aktor Hollivudi”, ndërsa Luli mundohet të imitojë kryeministrin, por mbetet larg në stil e mjeshtri.

Kryeministri vrapon sa nga Durrësi në Thumanë, e prapë Durrës. Nxiton në ish-kombinat në Tiranë dhe ikën prapë drejt qendrës së tërmetit sikur është Zeusi që do na shpëtojë nga djalli-tërmet. Ka lënë dhe mjekrën e thinjur si Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, përqafon një burrë nga Struga që ka humbur shtëpinë dhe e portretizon te varrimi në Thumanë, me një finesë që edhe aktori i njohur irlandez Colin Farrell  në filmin “The Killing of a Sacred Deer” e ku luan edhe e madhja Nicole Kidman, nuk mund ta luajnë kaq bukur.

Dhe si për ta ndjekur në këtë hipokrizi turret edhe Lulzim Basha. Lëshoi urdhër partie që të gjithë drejt tërmetit, atje ku “Zeusi-Rama” ka ecur 100 hapa para në imazh dhe aktorllëk. Pasi braktisi misionin e madh të të qenit opozitë në parlament, pasi ia la të gjitha pushtetet kryeministrit, pasi i dhuroi krejt pushtetin vendor “Zeusit”, tani Lul Basha po mundohet të rikuperojë me tërmetin. Dakord që hesht për momentin, por jo të bëhet lolo e kryeministrit. A nuk duhet të deklarojë lideri opozitar se do të kërkojmë të burgoset njeriu që firmosi gjithë lejet e ndërtimit në Durrës e ku u bë masakra?! Pse, mos po thyen kodin e vdekjes nëse Lul Basha thotë se sapo të kalojmë situatën emergjente kryeministri duhet të ikë, pasi vendi ka nevojë për qeveri të re?!

Por vetëm hesht!

Ndërkohë “Ismail Qemali” i dytë ka krijuar shtetin e “oligarkëve” dhe ndihet i qetë nga ndjekja e Lul Bashës në lojën e tij.

Pasi goditi dhe nxori me gaz lotësjellës qindra e qindra familje te Unaza e Re, pasi rrahu mirë e mirë popullin te parlamenti kur protestonte, tashmë kryeministri loton para kamerave, mjekrën e bardhë e bën po të dojë edhe të zezë para popullit që të duket i zi sterrë nga dhimbja për popullin e dëmtuar nga tërmeti.

Ajo që e bën sterrë të ardhmen mbetet se nuk kemi opozitë serioze që të jetë gati për pushtet, sepse lideri opozitar, ndonëse nuk ka krime mbi supe, por prapë se prapë është amator. Dhe për dreq sikur i pëlqen ky rol, edhe mundet, se ndihet më rehat në pushtetin e opozitës.

Lideri opozitar ka mision të madh mbi supe, ai është një kandidat për kryeministër kurdo, por ai duhet ta fitojë atë e jo të presë se “po i vjen radha”. Të jesh lider opozite edhe mund të futesh në burg përballë një regjimi, edhe mund të vritesh për lirinë e popullit, i cili të beson.

Natyrisht nuk duam të vrarë, pasi kemi boll këtë tragjedi nga tërmeti!

Por që të luajnë me popullin sikur po qajnë apo janë dobësuar nga meraku për hallet e popullit, kjo quhet HIPOKRIZI.