Aktualitet

Pse gripi i Robert Ndrenikës ishte lajmi kryesor i ditës në tiranapost.al

Pse gripi i Robert Ndrenikës ishte lajmi kryesor i ditës në

Nga Mira Kazhani/ Portali është në ditët e para dhe me humor u them miqve se ende nuk na është lidhur mirë kërthiza, mirëpo lajmet e këtyre ditëve me shumë politikanë brenda dhe shumë pak politikë na kanë përpirë duke përgjuar sa një ekran në tjetrin.

Prisnim çdo thotë njëri pas takimit, pas shkarkimit... Më pas u vumë në kërkim të Ben Blushit ‘Fake’ me shpresën se i kapëm me presh në duar ministrat qeflinj.

U zgjuam sërish në mëngjes sot duke pritur çdo thotë Edi Rama dhe Ilir Meta, a thua se kish ngelë më diçka për të thënë. Gazetarët shkuan dhe bënë detyrën e tyre. Pyetën dhe morën po ato përgjigjet që jepen gjithmonë, me fjalët magjike integrim.. e mira e vendit.. one billion project.. forca çuna….

Unë lëvizja sa në një kompjuter në tjetrin duke u treguar gazetarëve të rinj se kjo është gazetaria; të dish të kuptosh çfarë desh të thoshte Ilir Meta me atë batutë, atë shikim. Si e kish fytyrën të dorëzuar apo gati për një plan të ri. Pse nuk ikën tani ai nga qeveria?! Pse Rama nuk e zgjati më?! Çfarë desh të thoshte Saimiri kur u tha policëve rrugorë “Forca”?!

Hapa lapsi.al se aty gjen ndonjë analizë, që vjen siç thotë Blushi tek libri vet ‘crudo’ nga tavolinat kryesore të politikës. Ata si me më eksperiencë na intimiduan sigurisht, se ndryshe nga ne në tiranapost.al kishin kuptuar pse Meta kish dalë në konferencë për shtyp.

E kish bërë për të qetësuar Ramën. Ata me siguri (seriozisht e kam) thashë dinë diçka që unë se di. Ne fundja me një gjysmë kërthize jemi dhe as pretendojmë të jemi të lidhur nga kërthiza me fijet më të larta të pushtetit, aty ku thuren skenarë, beteja, xhirohen video e vihet paqja.

U tremba pak për të ardhmen e portalit me thënë të drejtën, se populli në facebook (facebook është burimi më i fortë për të të çuar tek lexuesi faqen) kërkon teori konspirative dhe nuk mjaftohen me një raportim të lajmit. Fundja edhe t’i gënjesh, por t’ju thuash diçka që i çon të shohin nga vrima e çelësit.

Shumica presin që të jesh nga njëra anë dhe përmes teje mësojnë ç’mendon një palë e tek të tjerët, pala tjetër. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Kjo është edhe shenjë tregon se ka liri në media dhe mirë shumë.

Por diçka ndodhi që më ndriçoi mendjen dhe më bëri të pendohem për sjelljen time si profesioniste para disa të rinjve që duan të bëhen gazetarë dhe unë ju kisha mësuar sot të kundërtën.

Ishte gripi i aktorit Robert Ndrenika! E pashë lajmin të postuar me përulësi nga një gazetare e kulturës, diku në një cep të humbur të portalit.

Çfarë, - thashë? Është sëmurë Ndrenika dhe ka lënë shfaqjen? Oh po kjo është e pafalshme! Si mundeni të tregoheni kaq të ftohtë. E di çdo të thotë të sëmuret Robert Ndrenika. Është aktori jonë më i dashur. Ai edhe jeton vetëm…pupupu. Kjo është e pafalshme mërmërisja se nuk doja të bërtisja që në ditën e 4-rt të punës.

-Thjesht grip, Mira. Mos u mërzit. Ja lexoje lajmin! Ka një grip të lehtë dhe do kthehet sërish në shfaqje, -më tha gazetarja me shpresën se i dha fund mërzisë sime,  si dhe zgjidhi edhe pozicionin e saj profesional kundrejt meje.

Mora pak frymë dhe në atë çast u ndriçova vërtet. Ju kërkova falje të gjithëve, madje edhe kompjuterit dhe disa tulipanëve mbi tavolinë (dhuratë e kushërirës që punon në një dyqan lulesh).

Çdo që kishim bërë sot. Çdo përpjekje për të postuar lajme, për të lexuar “rivalët” me analiza e mendime që si kemi ne. Çdo leksion që kisha dhënë për gazetarinë e ditës, ishte kotësi. Asnjëri prej tyre nuk kish merituar të jetë në krye të faqes.

Politika jonë ka rënë në një batak të shëmtuar, tallës dhe fyes për ne. Për të mos thënë që 4 ditë më mjaftojnë të kuptoj se ‘Lefterët’ marrin klikime më pak se vaji palmës, dhe boronicat që hollojnë gjakun. Por temë tjetër kjo!

Edhe sikur të marrin klikime kjo politikë meriton të postohet në fund të faqes, sepse po na trajtojnë si naiv, sikur nuk kemi internet dhe jetojmë të izoluar në një fshat të humbur. Për këtë arsye i thashë vetës në radhë të parë, gazetarëve dhe me pendim para ju lexues tani, që gripi i lehtë i Robert Ndrenikës është lajmi i ditës.

P.S

Porosi për redaksinë e tiranapost.al

“Edhe sikur një mushkonjë të pickojë një artist të dashur, një njeri të mirë që e do këtë vend, ai do jetë lajmi i parë edhe kryesor’.

U morëm vesh?!