• Shqip
  • English
  • E premte, 20 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • 25 rreshtat e Mirës Aktualitet Të gjitha

    Pse e deshëm të gjithë pa përjashtim Xhejsonin?


    “Të gjithë kemi qenë një herë fëmijë, por jo të gjithë e mbajmë mend”, është përafërsisht një shprehje që më pëlqen, edhe pse besoj se të gjithë (edhe ata që s’duan) i ndjek fëmijëria. Mua prej fëmijërisë më rrinë në sy gjyshërit e mi (nga babai). Shtëpia e tyre në fshat, në verë, dhe lulëkuqet nëpër disa rripa toke gjatë udhëtimeve të këtyre ditëve, ma kanë ndërmendur madhështinë e kohës më modeste të mundshme – fëmijërisë. Kur dikush më tha se nuk i kishte parë ndonjëherë lulëkuqet mes grurit, iu përgjigja: Unë jo vetëm po, por edhe botën e dija ashtu!

    Pas lulëkuqeve, një djalë i mrekullueshëm nga fshati, Xhejsoni i programit “Në kurthin e Piter Pan”, na bëri të gjithëve të shohim pas, në ditët e fëmijërisë.

    Ndonjëherë, kur ndiqja programin të hënave, provoja një ndjesi dhembshurie për vëmendjen që Xhejsoni merrte më shumë se fëmijët e tjerë. Faktor ishte mungesa e dy gërmave, g dhe k, që Xhejsoni dhe shumë fëmijë të tjerë i bëjnë d dhe t. Është një “cen” aq i ëmbël në atë moshë, që shkakton humor dhe që për fat me moshën gërmat shkojnë në vend dhe kur të rritet, taramelja bëhet karamele.

    Por nuk ishte vetëm çështje gërmash. Xhejsoni ishte nga fshati dhe i varfër, siç shumë si ai ka në Shqipëri. Edhe këtu pati jo pak diskutime kur Alketa Vejsiu vendosi, përmes një nisme bamirësie, t’i siguronte një shtëpi djalit të zgjuar dhe suksesit të vetëm të “Kurthit të Piter Pan” në këtë sezon (nuk di nëse do ketë ndonjë tjetër që të kapë nivelet e fenomenit “Xhejson”).

    Vejsiu dhe Grabocka i dhuruan publikut spektakël, audiencë dhe në fund edhe një shtëpi Xhejsonit. Natën finale nuk e kam ndjekur, por gazetarët e Tiranapost postuan me ndjeshmëri triumfin dhe lotët e Xhejsonit, bashkë me shprehjet e tij sa të zgjuara aq edhe të çiltra.

    “’Burrat nuk qajnë’, janë vetëm shprehje. Se në të vërtetë të gjithë qajnë nga fillimi i jetës e deri në fund”, i tha Xhejsoni kryebashkiakut Veliaj, teksa ai e mbante në krahë dhe i jepte zemër. Pra, Xhejsonit nuk i dha askush vëmendje. Ai e vodhi, e mori me fuqinë e origjinalitetit të tij. E mori sigurisht me lotët dhe varfërinë e familjes e bëri markë, madje e bëri të dukej më interesant, sepse dhembshuria është dashuria më e sigurt në këtë botë.

    Të gjjthë e deshëm Xhejsonin, sepse ai nuk kish asgjë veç fëmijërisë dhe ia doli të jetë fëmija hit në Shqipëri. Ta pyesim pak veten, sa rëndësi kanë ato kurset e pianove, 23 kurset e tjera, të fëmijëve? Sakrificat e të pasurve e të mesmëve për t’u dhënë çdo gjë fëmijëve, edhe duke harruar që janë fëmijë. Prandaj, Xhejsoni, përveçse na prek, shërbën si një mësues i vogël me papijon, që të shkon në ndërgjegje e të kujton se botën e rrok me shpirt dhe jo me paratë e mamit e të babit, apo të ndonjë tjetri, apo të tuat qofshin… /Tiranapost.al/

    /*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690