Aktualitet

PS-LSI letër KQZ-së: Të shtyhet afati i regjistrimit të koalicioneve

PS-LSI i kërkojnë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shtyjë afatin për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e 18 Qershorit.

Këtë kërkesë koalicioni qeveritar e ka bërë përmes një letre të dërguar në KQZ. Kërkesa vjen pikërisht sot, që është edhe afati i fundit për regjistrimin e koalicioneve për zgjedhjet e 18 Qershorit.

"Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe partitë e tjera të Aleancës për Shqipërinë Europiane janë në përpjekje të vazhdueshme për të negociuar me opozitën, për të mundësuar pjesëmarrjen e plotë të të gjithë spektrit politik të vendit në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 18.06.2017. Në këtë kontekst social-politik i cili nuk mund të neglizhohet nga asnjë institucion publik në vend e, aq më pak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kërkojmë nga ana juaj një qëndrim në lidhje me mundësinë për të shtyrë afatin e regjistrimit të partive politike në zgjedhje (neni 64 i Kodit Zgjedhor) dhe të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore (neni 65 i Kodit Zgjedhor). Në gjykimin tonë, tejkalimi i afateve të parashikuara nga nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor me disa ditë, ndërkohë që nuk do të sillte asnjë pasojë penalizuese, nga ana tjetër do të kontribuonte për të krijuar hapësira për të siguruar një proces sa më gjithëpërfshirës." thuhet në letër

Vendimi i dy partive duket të jetë i sinkronizuar dhe ka të bëjë me zgjidhjen e krizës politike në fillim.  Koalicioni qeverisës po bën përpjekjet e saj për të zgjidhur krizën përmes dialogut dhe futjen e opozitës në zgjedhjet e 18 Qershorit.

Kështu u shpreh ditën e djeshme edhe  Kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Luan Rama i cili tha se për koalicionin me përparësi është pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje që do t’i jepte fund dhe krizës politike në vend. /Copyright Tiranapost.al/

18035386_10213094716658690_1610222631_n