Aktualitet

Prova të reja për Saimir Tahirin? Si qëndron e vërteta sipas avokatit Maks Haxhia

Pas vendimit për masën e arrestit shtëpiak për ish ministrin Tahiri duke pretenduar nga prokuroria se ka prova të reja në lidhje me akuzat ndaj tij, ka reaguar avokati Maks Haxhia.

Haxhia në një prononcim për gazetën “Panorama” ka deklaruar se nuk ka asnjë provë të re që implikon klientin e tij me grupin Habilaj.

“Nuk ka absolutisht asnjë provë të re. Është e njëjta gjë si herën e parë. Kane ardhur vetëm përgjigjet e letër porosive nga Greqia dhe Italia që konfirmojnë faktin se Tahiri ka kaluar atje me familjen, por absolutisht asnjë fakt që ta lidhë atë me Habilajt, qoftë takime apo komunikime”, u shpreh avokati Haxhia. Nga ana tjetër, ai konfirmoi se do të apelojnë masën e “arrestit shtëpiak”, por pasi të njihen me vendimin e arsyetuar, se deri tani ende nuk janë njohur. “Sot presim të marrim vendimin sepse nuk e kemi marrë ende vendimin e zbardhur bashkë me arsyetimin dhe sapo ta marrim, do bëjmë apelimin”, tha avokati./Tiranapost.al