Aktualitet

Protesta për çmimin e ujit, Basha thirrje qytetarëve: Ngrini zërin

Pas protestave të disa qytetarëve përpara Bashkisë së Tiranës, kundër vendimit të saj për rritjen e tarifës së ujit të pijshëm, kryetari i PD Lulzim Basha ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin social Facebook.

Kryedemokrati ka dënuar kërkesën për procedim penal të disa protestuesve që morën pjesë në tubimin e sotëm. Sipas Bashës, e vetmja mënyrë që Rama di për të vazhduar qeverisjen është shuarja e çdo zëri kritik dhe persekutimi i çdokujt që guxon të shprehet dhe të veprojë kundër tij. Ai e ka mbyllur statusin me një thirrje për qytetarët që të ngrenë zërin dhe të reagojnë ndaj këtij verpimi që e ka cilësuar “burracak” të qeverisë.

Statusi i plotë i Bashës:

Edi Rama dhe veglat e tij në krye të Bashkisë Tiranë kanë kërkuar procedim penal kundër qytetarëve që ngritën zërin para bashkisë ndërsa ata ngritën në mënyrë kriminale çmimin e ujit. Rama e di që ka vetëm një mënyrë për të plaçkitur dhe për të dhunuar një vend: shuarja e çdo zëri kritik dhe persekutimi i çdo kujt që guxon të shprehet dhe veprojë kundër. Prandaj ai po përdor kundër qytetarëve kryeveglën e tij në Tiranë, i cili vetë akoma nuk ka dhënë llogari në prokurori për vrasjen e Ardit Gjoklajt dhe shfrytëzimin skllavëror të fëmijëve për të mbushur xhepat e tij dhe klientëve të tij. Është përpjekje e dëshpëruar e njerëzve të zhytur në të keqe për të ngjallur frikë tek populli i tyre.

Dua t’u them qytetarëve se nuk duhet të tremben, sepse janë më të fortë se çdo regjim dhe çdo qeveri. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ngrenë zërin dhe të reagojnë ndaj këtij veprimi burracak kundër njerzve të lirë dhe të drejtave të tyre. K.H/ tiranapost.al