Aktualitet

Propozimi për ndryshimin e Kodit Penal/ 5 vite burg kush rreh dhe i bën presion gruas

Propozimi për ndryshimin e Kodit Penal/ 5 vite burg kush rreh dhe i

Dënimi për ata që dhunojnë bashkëshorten ose bashkëshortin të zgjatet nga dy vite që është aktualisht, në pesë vite. Ishin dy deputetet socialiste, Klotilda Bushka dhe Eglantina Gjermeni, depozituan sot në Kuvend projektligjin për ndryshimin e Kodit Penal, për ashpërsimin e ndëshkimeve për dhunën në familje.

Sipas propozimit, rrahja dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, seksuale, psiko-emocionale, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Gjithashtu, kur vepra penale e dhunës fizike apo psikologjike në familje, është kryer në mënyrë të përsëritur, personi i akuzuar dënohet nga dy deri në 10 vjet burg.

Propozimi: 

Neni 130/a bëhet

Dhuna ne familje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, seksuale, psiko emocionale, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose ne lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, me burgim nga dy deri në pesë vjet.

Plagosja e kryer me dashje ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt ose në lidhje apo ish - lidhje intime me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në pune më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim një deri në pesë vjet. Po këto vepra, të kryera në mënyrë  të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga dy deri në 10 vjet burgim.

Neni 130/a i Kodit Penal në fuqi është

Dhuna në familje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet. Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet./ Tiranapost.al