Aktualitet

Propozimi/ 10 vite burg për vrasjen në gjendje të dehur apo kur shkel semaforin

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka depozituar në Kuvend një projektligj për disa ndryshime në Kodin Penal.

Do të shtohet edhe një nen që ka të bëjë posaçërisht me vrasjen e kryer në rrugë. Nëse ligji deri më tani parashikon masën gjobë ose burgim deri në pesë vjet, propozohet që në kushte të caktuara dënimi të arrijë deri në 10 vjet heqje lirie.

Për vrasjen e kryer nga pakujdesia në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dënimi minimal është 2 vjet burg, ndërsa ai maksimal 7 vjet burg.

Nëse drejtuesi është në gjendje të dehur ose nën efektin e substancave narkotike, dënimi minimal bëhet 8 vjet burg deri në 10 vjet burg.

Nëse vrasja është kryer për shkak se drejtuesi qarkullonte me dyfishin e shpejtësisë, shkel semaforin, qarkullimin me sens të kundërt apo kryen manovra në kryqëzime, kthesa, apo në vijë të pandërprerë pranë kalimit të këmbësorëve, dënimi do të jetë nga 5 deri në 10 vjet burg.

Ndërsa nëse fajtor në aksident është edhe viktima, atëherë dënimi i parashikuar reduktohet deri në gjysmë. Ndërsa në rastet kur shkaktohet vdekja e më shumë se një personi dënimi rritet deri në tre herë, maksimalisht në 18 vjet burgim.

Mendohet se rritja e masës së dënimit për aksidentet rrugore do të rrisë sigurinë rrugore në vend./E.D/ Copyright Tiranapost.al