• Shqip
  • English
  • E hënë, 9 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Profil Të gjitha

    Profil/ Ish-volejbollist, ministër dhe kryebashkiak: Kush është Stefan Çipa, drejtori i ri i burgjeve


    Stefan Çipa, drejtori i ri i burgjeve, është një emër i njohur në politikën shqiptare. Përgjatë viteve të tranzicionit, ka ushtruar shumë funksione publike, duke qenë një prej atyre që quhen “garda e vjetër” në Partinë Socialiste. Ka ditur të bashkëpunojë si me Fatos Nanon ashtu edhe me Edi Ramën, në një karrierë politike që ka pasur uljet dhe ngritjet e saj.

    I lindur në Sarandë në vitin 1959, Çipa studoi në Institution e Lartë Bujqësor për Shkenca Ekonomike, ndërsa i njohur në qytetin e lindjes është edhe për karrierën e tij sportive, ku për vite me radhë ka luajtur me ekipin e Butrinit.

    Me ardhjen e pluralizmit, në vitin 1991 zgjidhet Kryetar i Komitetit Ekzekutiv pluralist në Sarandë, ndërsa pas trazirave të vitit 1997 zgjidhet për herë deputet i Sarandës. Sarandiotët i besuan edhe dy mandate të tjera, atë të vitit 2001 dhe atë të vitit 2005, kur Partia Socialiste kaloi në opozitë. Si një politikan i angazhuar dhe jo i përfolur për afera korruptive, mori postin e Ministrit të Brendshëm në kabinetin “Majko 2”, duke pasuar në këtë post një personazh si Ilir Gjoni, i biri i Xhelil Gjonit, një prej anëtarëve të Byrosë Politike gjatë viteve të fundit të komunizmit. Për shkak të konflikteve mes grupimeve në Partinë Socialiste të atyre viteve, qeveria “Majko 2” zgjati vetëm gjashtë muaj dhe po kaq edhe mandati i Stefan Çipës.

    Me ndryshimin e ligjit elektoral, Edi Rama nuk e kandidon në listën shumë-emërore të vitit 2009. Pas tre mandatesh, Çipa nuk ishte më deputet i Sarandës, por do të rikthehej aty në vitin 2011 si kryebashkiak. Në zgjedhjet lokale ai mundi thellë demokratin Edmond Gjoka, që administronte qytetin prej vitit 2003, kohë që përkon edhe me betonizimin e skajshëm të qytetit të Sarandës. Në krye të qytetit bregdetar, Çipa punoi në lirimin e plazheve publike dhe rregullimin e hapësirave urbane.

    Megjithëse të gjithë prisnin rikandidimin e tij në lokalet e vitit 2015, një gjë e tillë nuk ndodhi. Sipas zërave të atëhershëm, shkak u bënë konfliktet me Koço Kokëdhimin, atëherë deputet me shumë influencë në zonën e jugut për shkak të lidhjeve të ngushta me kryeministrin Rama. Megjithatë Çipa u angazhua në fushatën e kandidates socialiste Koka, duke kontribuar në fitoren e së majtës.

    Më 13 janar të vitit 2016, Edi Rama e rikthen në Ministrinë e Brendshme, por këtë herë si zëvendësministër. Këtë post e mbajti deri në konstituimin e qeverisë “Rama 2”, në shtator të vitit 2017, ndërsa është edhe Sekretar për Emigracionin në Partinë Socialiste, post që para tij e mbante pikërisht Koço Kokëdhima./Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post