Aktualitet

Problemet mendore te fëmijët, flet mjekia: Simptomat dhe si mund të parandalohen

Fëmijët, ashtu si çdo grupmoshë tjetër e shoqërisë, mund të preken njësoj nga sëmundjet mendore por shpesh herë ato kalojnë pa u kuptuar dhe pa u trajtuar.

Lidhur me këtë, mjekja psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë Valbona Alikaj në një prononcim për gazetën “Mapo” thotë se se 5% deri 15% e fëmijëve gjatë jetës provojnë një çrregullim psikiatrik që është mjaftueshëm i theksuar për të kërkuar trajtim. Doktoresha psikiatre shpjegon se çrregullimi mendor është një sjellje klinikisht domethënëse, sindromë psikologjike apo model sjelljeje që shoqërohet me shqetësim, me paaftësi, apo me një rrezik të shtuar vdekjeje, dhimbjeje, destabiliteti apo humbje të rëndësishme lirie.

Çrregullimet që shihen më shpesh në klinikat e psikiatrisë së fëmijëve ose në mjediset e praktikës familjare përfshijnë çrregullime të zhvillimit intelektual, çrregullime të komunikimit, çrregullime të spektrit autik, çrregullimin e vëmendjes së pamjaftueshme dhe hiperaktivitetin (ADHD), çrregullimet specifike të të mësuarit dhe çrregullimet motore. Përveç këtyre, një pjesë e atyre çrregullimeve që hasen te personat e rritur, zakonisht vihen re edhe te fëmijët, sikundër janë depresioni madhor, çrregullimi bipolar dhe rrallë skizofrenia.

Doktoreshë Alikaj thotë për Mapon se një grup çrregullimesh konsiderohen se janë relativisht specifike për fëmijët dhe adoleshentët, pasi këto çrregullime zakonisht shfaqen gjatë kësaj periudhe të jetës. Këto janë klasifikuar si çrregullimet e neurozhvillimit. Tipi më i zakonshëm i çrregullimeve mendore për të rinjtë, janë veçanërisht çrregullimet psikotike, ato të gjendjes shpirtërore, të ankthit, të abuzimit dhe të personalitetit, të cilat kanë ndikimin fillestar dhe maksimal në adoleshencën e vonshme dhe jetën adulte të hershme.

Por çfarë ndikon në këto çrregullime? Dëshmitë shkencore moderne tregojnë se çrregullimet mendore dhe të sjelljes janë rrjedhojë e bashkëveprimit të gjenetikës dhe ambientit, me fjalë të tjera i bashkëveprimit të faktorëve biologjikë me ata psikologjikë dhe socialë. Nga periudha e paralindjes dhe gjatë gjithë jetës, gjenet dhe ambienti marrin pjesë në një varg bashkëveprimesh të pashmangshme. Këto bashkëveprime janë themelore në zhvillimin e çrregullimeve mendore dhe të sjelljes.

Por ajo që mund të bëhet aktualisht është të synohet parandalimi, pra ndërhyrja sekondare në individët të cilët tashmë janë simptomatikë dhe me dëmtim të funksionimit, për të reduktuar gjasat e përkeqësimit të gjendjes së tyre. Kujdesi për pacientët me rrezik shumë të lartë fokusohet në trajtimin e simptomave të ndryshme dhe deficiteve funksionale, pa pritur për një diagnozë strukturale. Në shekullin e 21-të, qëllimi i trajtimit të hershëm duhet të jetë shërim sa më i plotë i mundshëm, ku njerëzit në çdo stad të skizofrenisë do të konsiderohen si njerëz që mund të arsimohen, të punësohen dhe të jenë të aftë të jetojnë një jetë normale. Ndaj prindërit në dyshimet e para që kanë duhet t’u drejtohen specialistëve./Tiranapost.al