Aktualitet

Pro ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi? Zëdhënësi i Merkel kundër rrymës: Mendimi im personal...

Pro ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi? Zëdhënësi i

Në intervistë ekskluzive me Dw, zëdhënësi i grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag për politikat evropiane, Florian Hahn është shprehur pro ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi, nëse gjithmonë është pjesë e marrëveshjes dhe e dakordësuar nga dy palët. Hahn e sqaron dhe e argumenton se ky është një opinion i tij personal, ndonëse shumë nga kolegët e tij në Bundestag janë shprehur kundër kësaj ideje. Më poshtë keni përgjigjet e zëdhënësit të Merkel për këtë çështje.

Intervista si më poshtë/ 

Ministrja e jashtme e Francës ka thënë këtë javë gjatë një takimi me presidentin serb Vuçiç se ende nuk janë pjekur kushtet në BE për raunde zgjerimi. A nuk është ky sërish një sinjal frenues për Ballkanin Perëndimor? 

Nuk e di se çfarë thotë një ministre e jashtme në një bisedë, në të cilën unë nuk kam qenë i pranishëm. Vendimtar do të jetë raporti i progresit të Komisionit, i cili do të bëhet i  njohur më 29 maj të këtij viti. Mbi bazën e këtij progresraporti do të marrim një vendim në Bundestag dhe natyrisht që do të marrim për bazë edhe zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.

Tani, në Ballkanin Perëndimor po diskutohet edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. A mendoni se protestat, të cilat sigurisht po ndodhin edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë ndikim mbi këtë proces?

Natyrisht, ne kemi një interes të madh që këtu të arrijmë përparime.  Por shohim se ka aktorë, të cilët janë shumë të interesuar që këtu të mos ketë një rezultat pozitiv. Ne këtu dëshirojmë progres pozitiv.

Progres pozitiv do të thotë edhe ndryshimi i kufijve?

Me ndryshimin e kufijve duhet vepruar me shumë kujdes, por personalisht mendoj, dhe ky është mendimi im personal, se kur dy shtete sovrane bien dakord të ndryshojnë një kufi të përbashkët mes njëri-tjetrit dhe kur ato janë në gjendje të mbajnë përgjegjësinë  për vendin e tyre , atëherë mendoj, se bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë.

Ju keni kështu një opinion të ndryshëm nga shumë kolegë të grupit tuaj parlamentar në Bundestag.

Ky është mendimi im personal. Më lejoni ta them përsëri: Nëse dy shtete sovrane bëjnë një ujdi me njëri-tjetrin dhe ata janë në gjendje të mbajnë secili përgjegjësi për vendin e vet, atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet ta pranojë atë marrëveshje.

Po efektet e të ashtuquajturës Kutia e Pandorës?

Ne duam, sigurisht, që kjo marrëveshje të ngërthehet me njohjen reciproke të sovranitetit. Nëse kjo është e lidhur me të dhe nëse vendet e tjera pajtohen me ndryshimin e kufirit, atëherë unë së paku mendoj se kjo marrëveshje nuk ka përse të refuzohet në vend.

Një fjalë mbi tërheqjen e Partisë Fshatare Kroate nga grupi i PPE-së në shenjë protestë kundër politikave të Orbanit.

Besoj se dorëheqja ka një motivim më të brendshëm. Ajo parti përfaqësohet me vetëm një deputet në PE. Nuk është një humbje thelbësore e madhe për PPE, por, sigurisht, simbolike. E për këtë më vjen keq.

* Florian Hahn (CSU) është që nga viti 2018 zëdhënës i politikave për Evropën në grupin parlamentar CDU / CSU në Bundestagung Gjerman./ Tiranapost.al .E.B