Politikë

Preç Zogaj: Rama nuk duhet lënë të identifikohet me amerikanët, europianët dhe reformën në drejtësi

Preç Zogaj: Rama nuk duhet lënë të identifikohet me

Peshqeshi i pakujdesisë që mund t’i bënte opozita kryeministrit Edi Rama në këtë periudhë do të ishte përfshirja publike e reformës në drejtësi në betejën kundër qeverisë. E gjitha kjo, jo se do t’i rriste më tej përkrahjen kryeministrit në Uashington dhe në Bruksel për këtë çështje. Ai e ka këtë përkrahje, madje pretendon të ketë edhe medaljen e kalorësit të reformës në drejtësi.

Efekti i ri i një impostimi “pro apo kundër reformës” do të ishte ulja e përkrahjes popullore ndaj opozitës. Sepse shumica dërrmuese e shqiptarëve e mbështesin fuqishëm ndëshkimin e krimit dhe korrupsionit në sferat e larta. Ky është kuptimi i tyre bazë për reformën në drejtësi, kuptim i drejtë dhe i shëndoshë, duke qenë se kjo reformë sui generis, pikërisht për këtë arsye, është bërë e po çohet përpara në bashkautorësi me partnerët amerikanë dhe europianë. Pa hyrë në hollësitë apo në hilerat allashqiptare që kanë shoqëruar që prej fillimit ecurinë e kësaj reforme, qytetarët, gjithë këto vite, kanë konstatuar qartë një gjë: as rrotacionet e pushtetit nuk e kanë zgjidhur problemin e pandëshkueshmërisë në sferat e larta. Vendi është qeverisur brenda një marrëveshjeje të pashkruar, sipas së cilës drejtësia nuk do të shkelte në pallatet e kastave politike. Në shkëmbim, këto kasta do t’i lejonin në tërësi të përzgjedhurit e tyre prokurorë dhe gjyqtarë të bënin para me dosjet e botës së krimit, me ato të pronave e të tjerë. Marrëdhënia e përçudnuar politikë-drejtësi, ku politika i rri përsipër drejtësisë, është shkaku kryesor që vendi ynë ka promovuar e promovon modelin e drejtuesit autokrat.

Si të zgjidhej kjo? Me reformim me themel të drejtësisë. Ashtu siç është ndërtuar vetëm reforma premton fillimin e një periudhe të re ku ligji vepron në çdo centimetër të piramidës shtetërore e shoqërore dhe njerëzit janë realisht të barabartë përpara ligjit. A mund të jenë shqiptarët kundër këtij zhvillimi historik? Kurrsesi.

Nuk është dashur ndonjë mençuri e veçantë për të kuptuar që prej fillimit se në shtyllat e saj kryesore reforma në drejtësi është një çështje përcaktuese e marrëdhënieve të çdo partie dhe çdo politikani shqiptar me SHBA-në dhe BE-në. Po ashtu, gjithkush mund të kuptojë se partnerët amerikanë dhe europianë e kanë lexuar krizën tonë të muajve të fundit kryesisht në optikën e kalendarit dhe efekteve të reformës. Ndaj kanë mbajtur qëndrimet që dihen dhe nuk kanë dashur të dëgjojnë sirena të tjera derisa drejtësia e re të niset. Militantët dhe mbështetësit e opozitës kanë dalë në rrugë kundër skandaleve dhe mashtrimeve të qeverisë, kanë dalë për kauzën e zgjedhjeve, për pakënaqësitë dhe hallet që kanë, por nuk ka ndodhur deri më sot të ngrihen kundër reformës në drejtësi. Drejtuesit e opozitës u kanë folur për drejtësi të vërtetë, që duhet të ndëshkojë me burg ministrat dhe zyrtarët e korruptuar të lidhur me krimin, gjë që është fiks objekt i reformës në drejtësi dhe nuk mund të ketë reformë tjetër veç saj, pasi edhe po të kishte ndonjë ide të çmendur për ta zhbërë, do të duhen dy të tretat e votave në Kuvend. Sidoqoftë, pavarësisht se çfarë kanë pasur në mendje këta politikanë, populli opozitar nuk është ftuar deri më sot dhe besoj se nuk do të ftohet kurrë të protestojë kundër reformës në drejtësi. Po të ndodhte, reagimi do të ishte një bumerang për opozitën.

Ka njerëz, shumë pak, që mund të kenë qenë e të jenë kundër kësaj reforme, e drejta e tyre. Ka që mendojnë se reforma është e ashpër duhet zbutur në disa aspekte. Ka të tjerë që mendojnë se ndërsa nuk është kapur dot nga jashtë në konceptim dhe ndërtim, drejtësia e re po kapet prej kryeministrit nga brenda në implementim. Të gjitha faktet që mbështesin këtë opinion duhet të paraqiten në rrugë institucionale pranë vendeve partnere që kanë bashkautorësinë e reformës dhe duhen reflektuar menjëherë kur janë të bazuara.

Në princip, askush nuk mund të fajësohet për mendimet e veta të lira. Reforma në Drejtësi është një ngjarje e madhe për vendin tonë, por nuk është Bibla apo Kurani.

Thënë këtë, në dritën e prononcimeve të fundit të Presidentit Ilir Meta për këtë reformë, duhet të sqarojmë se opozita apo një pjesë e saj e ka konsumuar me kohë demarshin për t’ia faturuar autorësinë e saj një konspiracioni të multimiliarderit amerikan Xhorxh Soros. Kjo ka ndodhur pas instalimit në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit Donald Trump, marrëdhëniet e të cilit me Sorosin kanë qenë reciprokisht antagoniste. Në mars të vitit 2017 u bë e njohur në shtypin shqiptar një letër që gjashtë senatorë republikanë i kishin dërguar Sekretarit të Shtetit të asaj kohe, zotit Tillerson. Në këtë letër senatorët përcillnin pretendimet që kishin dëgjuar nga udhëheqës të respektuar në Shqipëri, se Fondacioni “Soros”, i mbështetur me fonde nga USAID, “ka krijuar Dokumentin Strategjik për Reformën e Gjyqësorit në Shqipëri. Disa udhëheqës në vend besojnë se këto reforma kanë për synim t’i japin kryeministrit dhe qeverisë së qendrës së majtë kontroll të plotë mbi sistemin gjyqësor”, thuhej në letër. Ky pretendim i përfaqësuesve të opozitës shqiptare, që nuk citoheshin me emër në letrën e senatorëve, dilte për herë të parë në këtë formë dhjetë muaj pas votimit unanim të reformës.

Për të mos u zgjatur me fatin e letrës, zhvillimet treguan se reforma në drejtësi vijoi të mbetej një prioritet i politikës amerikane në Shqipëri edhe në administratën Trump, gjë që vërteton atë që e kemi shtjelluar shumë herë edhe për çështje të tjera, se politikat dhe qëndrimet me karakter gjeostrategjik kanë vazhdimësi në SHBA, pavarësisht se kush vjen e kush ikën nga pushteti, se po të merrej zvarrë nga miliarderët e saj të shumtë, SHBA-ja nuk do të ishte fuqia e botës, por një rrumpallë.

Kundër alarmeve të natyrës konspirative ndaj reformës vjen një fakt tjetër shumë domethënës: Sintonia e plotë SHBA-BE, SHBA-Gjermani. Kam përshtypjen se reforma jonë mund të jetë në top listën e çështjeve unike që ndjekin këto vende sa përmes ambasadave dhe misioneve të tyre në Shqipëri, sa përmes Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Çfarë duhet të mendojmë? Që dy superfuqitë botërore të demokracisë investohen për t’i dhënë drejtësinë kryeministrit të radhës në një vend të vogël aleat? Të mendosh këtë është të fyesh madhështinë e tyre, traditën e tyre të ndritur të drejtësisë si pushtet i pavarur. Ndërkohë që në traditën tonë të derisotme kryeministrave u shkon paketë edhe drejtësia, pra të kapur e kanë, sapo marrin postin. Reforma në drejtësi synon t’i japë fund pikërisht kapjes automatike të drejtësisë nga ekzekutivi dhe të sigurojë funksionimin e saj si pushtet i pavarur nga ekzekutivi. Kjo nuk përjashton aspak atë që Rama sot apo kryeministri që do ta pasojë atë nesër të mos tundohen të kenë akses pranë gjykatave dhe prokurorive për aq sa mund të kenë. Por ky është një diskutim tjetër që, ndërsa duhet të mbështetet në shembuj konkretë siç e thashë më lart, nuk ka lidhje me pavarësinë objektive që i siguron reforma e drejtësisë.

A mund të rishikohet reforma? Përgjatë zbatimit ka dalë në pah më qartë sesa mund të parashikohej gjatë hartimit se çfarë është mirë e çfarë mund të jetë e tepruar. Kjo kërkon një shqyrtim shumë profesional përpara se të mendohet për ndonjë zbutje të vetting-ut, fjala vjen. Por në një pikë rishikimi i reformës është i pamundur: në atë që ka të bëjë me SPAK-un, me ndëshkueshmërinë në sferat e larta. Po të prekej këtu do të binte e gjithë ngrehina e saj.

Për t’u kthyer aty ku e nisëm, PD-ja ka paguar për ndërthurjet e pamenduara mirë të kauzës së saj të drejtë për zgjedhje të lira me reformën në drejtësi. Mund të themi se ekuivoket për reformën i kanë lidhur këmbët për kauzat e tjera. Është koha për të nxjerrë mësime. Ka “material” pa fund për t’i bërë opozitë Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Por s’duhet t’i jepet mundësia të njësohet vetëm ai me amerikanët dhe europianët si mbështetës i reformës në drejtësi. Kjo reformë duhet të mbetet stacioni i bashkimit të partive me njëra-tjetrën dhe i të gjithave bashkë me Perëndimin. /Burimi Gazeta Liberale/ Tiranapost.al/