Aktualitet

Post-komunizmi është armiku më i madh i kapitalizmit

Nga Thomas Piketty/ Çfarë do të mendonte Karl Marksi, që muaji tjetër do të shënojë 200 vjetorin e lindjes së tij, për kushtet e vështira në Rusi, një vend që kurrë nuk rreshti së qeni “marksist-leninist” gjatë viteve të Bashkimit Sovjetik? Me siguri do të mohonte çdo përgjegjësi për një regjim të ndërtuar shumë kohë pas ndarjes së tij nga jeta. Marksi u rrit në një mjedis shtypës, i bazuar në shenjtërinë e pronës private aq sa edhe skllavo-pronarët shpërbleheshin në rast dëmtimi të pronës së tyre. Vështirë së Karl Marksi do të mund të parashikonte suksesin e socialdemokracisë në shekullin XX. Tridhjetë vjeçar në kohën e revolucioneve të vitit 1848, vdiq më 1883, vit kur lindi edhe Keynes. Që të dy ishin kronikanë të shkëlqyer të kohës kur jetuan, por pa dyshim ishte gabim shikimi i tyre si teoricienë të pagabueshëm të së ardhmes.

Në fakt, në vitin 1917 kur bolshevikët morrën pushtetin, planet e tyre të aksionit nuk ishin aspak shkencore siç pretendonin. Mbi braktisjen e pronës private nuk kishin dyshime, por si të organizoheshin raportet e prodhimit? Kush do të ishin pronarët e rinj? Me çfarë mekanizmash do të rishpërndahej pasuria nga aparati gjigant shtetëror? Duke pasur pak zgjidhje për këto probleme, u gjet strehë në përqendrimin e madh të pushtetit dhe në mungesë të rezultateve u gjetën shpejt fajtorët, duke bërë koka turku me burgosje dhe spastrime. Më 1953, vit në të cilin vdiq Stalini, 4% e popullsisë sovjetike ishte në burg, më shumë se gjysma e tyre për “vjedhje të pronës socialiste” dhe krime të tjera të vogla të bëra për të jetuar paksa më mirë. Një përqindje kjo e tejkaluar vetëm nga afro-amerikanët në Shtetet e Bashkuara, ku 5% e burrave janë të burgosur. Ajo “shoqëri hajdutësh” e përshkruar nga Juliette Cadiot, shënjon dështimin dramatik të një regjimi që kërkonte të ishte emancipues.

Sigurisht që investimet sovjetike në infrastrukturë, në shkolla dhe në shërbimin shëndetësor sollën edhe ndonjë progres. Të ardhurat kombëtare për banor, që para revolucionit qëndronin në 30-40% të nivelit të Europës perëndimore, u rritën me shpejtësi duke arritur në vitet ’50 pragun e 60% të perëndimorëve. Por gjendja u rëndua në vitet ’60-’70 kur jetëgjatësia, fenomen ky unik në kohë paqeje, rezultonte në rënie. Regjimi ishte në prag të shpërthimit.

Mes viteve 1992 dhe 1995, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe aparatit të madh shtetëror sollën një rënie të cilësisë së jetës. Por pas vitit 2000 të ardhurat për frymë nisën të rriten dhe në vitin 2018 janë sa rreth 70% e të ardhurave të europianëve në këndvështrimin e fuqisë blerëse, por janë gati gjysma në termat e vlerës së parasë pasi rubla ruse është një monedhë e dobët. Për fat të keq pabarazitë po rriten shumë më shpejt nga sa tregojnë të dhënat zyrtare, siç dëshmon një studim i fundit i Filip Novokmet dhe Gabriel Zucman.

Në një linjë të përgjithshme, dështimi sovjetik u pasua nga mohimi i kulturës së rishpërndarjes. Nga viti 2001 norma e tatimit është 13% për çdo lloj të ardhure, qoftë kjo 1000 rubla apo 100 miliardë. As Reagan dhe as Thatcher nuk e kanë arritur këtë shpërbërje të progresivitetit. Në Rusi, si edhe në Kinën popullore, nuk ka taksë trashëgimie. Nëse një aziatik dëshiron t’ua trashëgojë pasurinë e tij pasardhësve, i leverdis të shkojë e të ndërrojë jetë në një prej vendeve ish-komuniste dhe mbi të gjitha të evitojë ato kapitaliste si Taivani, Korea e Jugut apo Japonia, ku taksa e trashëgimisë ka arritur së fundmi nivelet e 50%-55%.

Në një kohë kur Kina ka arritur të mbajë nën kontroll daljen e kapitalit dhe akumulimet private, Rusia e Putinit është karakerizuar nga një zhvillim kleptokratik. Mes viteve 1993 dhe 2018 ka realizuar një tepricë të madhe tregtare, të barabartë me 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, e cila në harkun kohor të 25 viteve kap shifrën e 250%, ose sa dy vjet e gjysmë Prodhim i Brendshëm Bruto. Parimisht Rusia sot do të kishte gjithë këtë pasuri, por në të vërtetë rezervat zyrtare ruse janë vetëm një e dhjeta e kësaj shifre: 25%.

Ku kanë shkuar paratë? Sipas vlerësimeve, pasuria që rusët mbajnë jashtë shtetit është më e madhe se Prodhimi i Brendshëm Bruto i një viti, pra më i madh se pasuria e gjithë rusëve që jetojnë në Rusi dhe i mbajnë paratë e tyre aty. Me fjalë të tjera, pasuritë natyrore të vendit janë eksportuar në mënyrë masive, duke nxitur struktura të errëta, si ruse ashtu edhe ndërkombëtare, që të sigurojnë aktive të mëdha financiare.

Rusët e pasur jetojnë më shumë mes Londrës, Parisit dhe Moskës. Të tjerët nuk dalin kurrë jashtë Rusisë dhe e kontrollojnë vendin e tyre përmes aktiviteteve offshore. Përgjatë kohëve shumë ndërmjetës në shoqëritë perëndimore kanë gllabëruar edhe thërrimet dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë gjë edhe sot nëpërmjet aktiviteteve sportive dhe ndërmjetësuese (të quajtura ndryshe edhe filantropi). Më shumë se sa sanksione tregtare, Bashkimi Europian do të bënte mirë t’i shënjestronte këto aktivitete, duke ia treguar edhe opinionit publik rus. Post-komunizmi është armiku më i madh i kapitalizmit. Marksi do ta vlerësonte ironinë, por kjo nuk është arsyeja përse duhet të merremi me të./Thomas Piketty është ndër ekonomistët më të shquar francezë, i famshëm mbi të gjitha për librin “Kapitali në shekullin XXI” ku trajton çështjet e pabarazisë ekonomike. Tiranapost.al