• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 11 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Ide Të gjitha

    Populli po i kundërvihet elitave, por ky nuk është populizëm. Noam Chomsky: Rritjen ekonomike e shfrytëzojnë pak duar


    Sipas filozofit amerikan, populli po rebelohet ndaj elitave dhe ky nuk është populizëm. “Spostimi djathtas lind nga revolta kundër elitave dhe institucioneve shtypëse. Ka pasur një rritje ekonomike si edhe rritje të produktivitetit, por pasuria e gjeneruar përfundoi në shumë pak xhepa, e shumica në institucione grabitqare financiare që për më tepër janë të dëmshme për ekonominë.”

    Gjuhëtar, filozof, akademik dhe ekspert i komunikimit politik: Profesor Noam Chomsky nuk ka nevojë për më shumë prezantim. Pasi transformoi në mënyrë radikale sferën e gjuhësisë në vitet ’50-’60 me teorinë e tij gramatike transformuese, vazhdoi me vëzhgimin e realitetit politik duke shkruar një numër të madh librash mbi pushtetin, demokracinë, konsensusin global dhe sigurisht gjuhësinë. Ishte ndër të paktët intelektualë që parashikuan me argumente bindëse fitoren e Donald Trump.

    Në SHBA dhe Europë po përjetojmë një spostim të së djathtës drejt klasës punëtore. Mediat e quajnë “populizëm”, por a mendoni se është termi i duhur? Nga çfarë varet ky proces?
    Do ta shtroja pyetjen paksa ndryshe. Punëtorët po revoltohen kundër elitave dhe institucioneve shtypëse që i kanë ndëshkuar për një gjeneratë të tërë. Për shembull, sot në Shtetet e Bashkuara, pagat janë më të ulëta se sa në kohën kur u ngjiz neoliberalizmi, pra në fund të viteve ’70 me Thatcher dhe Reagan. Ka pasur një rritje ekonomike si edhe rritje të produktivitetit, por pasuria e gjeneruar përfundoi në shumë pak xhepa, e shumica në institucione grabitqare financiare që për më tepër janë të dëmshme për ekonominë. Edhe në Europë pak a shumë ka ndodhur e njëjta gjë, madje edhe më keq sepse procesi i vendimmarrjes për çështje të rëndësishme iu besua Troikës, që është një organ i zgjedhur nga askush. Partitë e qendrës së djathtë/qendrës së majtë (demokratët amerikan, socialdemokratët europianë) janë spostuar djathtas, duke braktisur shumë nga interesat e klasës punëtore. Kjo ka sjellë zemërim, frustrim dhe frikë. Arsyet e vërteta janë fshehur në errësirë, sepse faji i duhet vënë të varfërve që nuk bëjnë asgjë, minorancave etnike, emigrantëve apo shtresave të tjera vurnerabël. Në situata të tilla, njerëzit zvarriten nëpër pasqyra. Në SHBA shumë punëtorë votuan për Obamën duke i besuar mesazhit të tij të shpresës, por kur u zhgënjyen shpejtuan të gjejnë dikë tjetër. Ky është një terren pjellor për demagogë si Trump, që hiqet si zëri i punëtorëve ndërsa në të vërtetë i dobëson dita-ditës me politikat e shëmtuara anti-sindikaliste. Kjo nuk ka të bëjë fare me populizmin, një koncept me histori të koklavitur, shpesh herë i respektuar.

    Keni thënë se Partia Republikane po kthehet në organizatën më të rrezikshme në historinë e njerëzimit. Nuk mendoni se Partia Demokratike është shkaku i parë i fitores së Trump?
    Braktisja e klasës punëtore nga ana e demokratëve ishte një element i rëndësishëm i fitores së Trump. Por kjo nuk e ndryshon faktin e qartë, sado i frikshëm mund të duket, se Partia Republikane është kthyer në organizatën më të rrezikshme të historisë njerëzore. Edhe Hitleri nuk harxhoi energji për të dobësuar perspektivën e ekzistencës njerëzore në të ardhmen. Trump beson te ngrohja globale, sepse kohët e fundit i ka kërkuar qeverisë irlandeze lejen për të ndërtuar një mur që do ta mbrojë fushën e tij të golfit nga rritja e nivelit të ujit, një pasojë e qartë e ngrohjes globale. Por nga ana tjetër e tërheq Amerikën nga pakti i Parisit për klimën. Le të marrim rastin e Rex Tillerson, i quajtur si “djali i urtë”, aq shumë saqë nuk duroi gjatë në kabinetin e ekstremit të djathtë të Trump. Ai u bë funksionar i lartë dhe më pas administrator i ExxonMobil në fund të viteve ’80, pikërisht atëherë kur ngrohja globale nisi të bëhej problem. Mbi tryezë kishte raportet e shkencëtarëve të tij, të lëshuara shumë vite më parë, që paralajmëronin efektet e tmerrshme të ngrohjes globale. Sapo kërcënimet u bënë publike, kompania nisi të hedhë fonde në mohimin e këtij fakti, duke vazhduar me metodat e vjetra të prodhimit që shkatërronin ambientin. A më gjeni dot një term tjetër për këtë sjellje? Unë jo.

    A mund të jetë Bernie Sanders një alternativë konkrete dhe e besueshme përballë Partisë Republikane dhe kandidatëve tradicionalë demokratë?
    Karakteristika e denjë e fushatës elektorale të vitit 2016 nuk ishte zgjedhja e një miliarderi, me financime të pafundme në fazat vendimtare të fushatës dhe me një mbështetje të madhe mediatike. Karakteristika e denjë ishte fushata e Sanders, që ndërpreu gati një shekull histori politike amerikanë gjatë së cilës fitorja elektorale mund të parashikohej me një saktësi të dukshme, madje edhe për Kongresin. Sanders ishte krejt i panjohur, u eliminua në sondazhet publike dhe media e ironizonte, nuk mori para nga fondet e mëdha private e madje përdori fjalën “socializëm”, një fjalë shumë e frikshme në Shtetet e Bashkuara. Por në të vërtetë, politikat e tij “socialiste” nuk do ta habisnin fare presidentin Ajzenhauer, një konservator i stilit të vjetër por me një shmangie djathtas gjatë viteve të fillimit të neoliberalizmit. Sanders mund të fitonte nominimin nëse nuk do të ishte për makinacionet e drejtuesve të partisë Obama-Clinton. U cilësua si figura më popullore e vendit. Pyetja e vërtetë është nëse Shtetet e Bashkuara mund të bëhen një demokraci funksionale, që i afrohet sloganit “nga, tek dhe për njerëzit”. E njëjta pyetje vlen edhe për Europën./Intervista e Noam Chomskyt u përkthye nga Erjon Uka për Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post