Aktualitet Politikë Te gjitha

Politikanët më të besueshëm/ Sondazhi tregon përqindjet


Sipas një sondazhi në rang kombëtar, Edi Rama rezulton politikani më i besuar në vend me 57.8%, pas tij vjen Berisha me 20.8%, i ndjekur nga Basha me 9.8%, Meta me 8.9% dhe Kryemadhi me 2.7%. Por sondazhi vëren se niveli i mosbesimit të shqiptarëve tek klasa politike është i thellë. Sipas sondazhit të sjellë nga Report Tv, në bashkëpunim me institutin italian “GPF Inspiring Research”, 47 % e qytetarëve të pyetur nuk kanë besim te asnjë politikan shqiptar.

Të pyetur se, nëse do të zgjidhje ndërmjet këtyre pesë figurave politike, cili të duket më i sinqertë në deklaratat e veta politike, pas Ramës i cili renditet i pari me 57.8%, vjen ish-kryeministri Sali Berisha. 20.8% të të pyeturve në 12 qytetet kryesore në vend, i besojnë Berishës. Sondazhi konfirmon Lulzim Bashën si politikanin e tretë më besueshëm, por me një diferencë të madhe në raport me Berishën: 9.8% e qytetarëve të pyetur janë përgjigjur se iu besojnë deklarimeve të Lulzim Bashës. Ndërkaq, ish-kryetarit të LSI, Ilir Meta, sot President i Republikës i besojnë 8.9% të të pyeturve. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, sipas sondazhit, është politikania më pak e besueshme mes pesë liderëve politikë. Vetëm 2.7% të të pyeturve janë shprehur se iu besojnë deklarimeve publike të Monika Kryemadhit. Sondazhi konfirmon se pasardhësit politikë të Berishës dhe Metës në krye të PD dhe LSI janë në krizë besimi. Ndërkaq, katër figurat politike të opozitës janë në krizë besimi në raport me kryeministrin Edi Rama, i cili në vitin e gjashtë të qeverisjes, vijon të mbetet politikani më i besuar për shqiptarët.

Po përveç rezultateve mesatare në rang kombëtar, cili është niveli i besueshmërisë i 5 liderëve politikë në nivel vendor?

Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, i cili sipas sondazhit është politikani më i besuar në Shqipëri, me një diferencë të thekuar me Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, ka popullaritet më të lartë në Elbasan dhe më të ulët në Berat. Konkretisht, të pyetur se cila figurë politike ju duket me e sinqertë në deklaratat e veta publike, 75.5% të qytetarëve të pyetur në Elbasan kanë zgjedhur kryeministrin Edi Rama. Ndërsa në Berat, Ramës i besojnë 37.5% të të pyeturve. Pas Elbasanit, vjen Gjirokastra, ku 68.9% të qytetarëve i besojnë Ramës, i ndjekur nga Tirana me 68.4%, Vlora me 64.5%, Shkodra me 64.3%, Korça me 63.3%, Lezha me 58.2%, Durrësi me 49.3%, Fieri me 45.1 % dhe Dibra me 40.5%. Por nëse kryeministri Edi Rama ka besueshmërinë më të ulët në Berat me 37.5%, niveli më i lartë i besueshmërisë për kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, është në Vlorë me 26.2%.

Berisha dhe Basha

Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe sipas qyteteve, ish-kryeministri Sali Berisha vijon të ketë popullaritet më të madh se sa pasardhësit i tij politik në krye të PD, Lulzim Basha. Edhe pse Basha drejton prej pesë vitesh partinë kryesore në opozitë, shqiptarët, të cilët në rastin konkret mund të identifikohen me demokratët, vijojnë t’i besojnë më shumë Sali Berishës. Ky i fundit, sipas sondazhit, popullaritetin më të madh e gëzon në Kukës me 51.7%, ndërsa më pak popullaritet ka në Gjirokastër me vetëm 4.8% dhe në Vlorë me 8.9%. Ndërkaq, pas Kukësit, Berisha ka popullaritet më të madh në Fier me 30.6% dhe në Berat me 25%. Nga ana tjetër, kryetari i PD, Lulzim Basha, sipas sondazhit, ka popullaritetin më të madh në Vlorë me 26.2%, ndërsa më pak i besojnë në Korçë me vetëm 3.4%. Në Tiranë besueshmëria për Bashës është 12.4%, në Shkodër 3.6%, në Lezhë 16.1%, në Kukës 6.5%, në Gjirokastër 18.3%, në Fier 10.8.%, në Elbasan 6.7%, në Durrës 6.3%, në Dibër 18.6% dhe në Berat 5.1%. Nga 12 qytetet, Basha dominon mbi Berishën vetëm në Vlorë, Gjirokastër dhe Dibër. Në total, popullariteti i Berishës është 20.8%, ndërsa i Lulzim Bashës është 9.8%.

Meta dhe Kryemadhi

Edhe në kampin e LSI, Ilir Meta rezulton me më shumë popullaritet se sa Monika Kryemadhi. Sipas sondazhit të sjellë nga Report Tv, në bashkëpunim me institutin Italian “GPF Inspiring Research”, presidenti Ilir Meta është më i besueshëm në Berat me 32% dhe më pas i besueshëm në Lezhë dhe Elbasanin me vetëm 0.1%. Në Vlorë, Metës i besojnë vetëm 0.3% të të pyeturve, në Tiranë 0.4%, në Shkodër, 10.9%, në Kukës 0.2%, në Korçë 14.2%, në Gjirokastër 4%, në Fier 12%, në Durrës 11.7% dhe në Dibër 18.6%. Ndërkaq, kryetares së LSI, Monika Kryemadhit, në Tiranë, Kukës dhe Shkodër i besojnë vetëm 0.1% të të pyeturve. Në Vlorë, në Lezhë dhe në Berat i besojnë vetëm 0.2% të të pyeturve. Në Fier besueshmëria e kryetares së LSI është 0.8.%, në Elbasan 1.1% dhe në Gjirokastër 4 %. Zonja Kryemadhi ka popullaritetin më të madh në Dibër me 12.5%, më pas në Durrës me 10% dhe Korçë me 7%. Në total tek zonjës Kryemadhi i besojnë 2.7% të shqiptarëve, ndërsa ish-kryetarit të LSI, Ilir Meta, sot President, i besojnë 8.9%./Shqiptarja.com/Tiranapost/A.C