• Shqip
  • English
  • E diel, 19 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Ide Të gjitha

    Politikanët me duar të ndyra dhe morali që nuk ekziston


    Makiaveli besonte se politikanët nuk duhet të shqetësohen për duart e tyre të pista. Ai nuk besonte se meritonin lavdërime për moralin apo brejtjen e ndërgjegjes. Por vështirë se libri i tij “Princi” do të mbijetonte kaq gjatë nëse do të kishte qenë thjesht e vetëm një apologji për gangsterët. Tek këta të fundit, mizoria e pakufishme shpesh herë rezulton efikase, ndërsa në politikë, siç shkruante Makiaveli, është me keq se një krim. Është ragion di stato, arsyeja shtetërore, që duhet të disiplinojë çdo dalje të politikanit në hapësirën e diskutueshme të moralit.

    The Atlantic/ Ju e mbani mend fotografinë: Presidenti Obama i ulur në një cep në “Situation Room” me Shefin e Sigurisë Kombëtare ku është edhe Hillary Clinton me dorën sipër gojës, duke parë aksionin e vrasjes së Osama bin Ladenit në Pakistan. Ky ishte një moment tërësisht Makiavelian: një lider politik që ka marrë rrezikun përfundimtar të ushtrimit të pushtetit, duke pritur gjykimin e fatit. Ai e di se nëse misioni dështon, presidenca e tij ka marrë fund, ndërsa në rast suksesi asnjë nuk do të pyesë për rrezikun që mori përsipër.

    Është një moment Makiavelian edhe në një kuptim të dytë: kur nevoja publike kërkon veprime që etika dhe vlerat fetare i dënojnë, duke i quajtur të padrejta dhe imorale. Ne këto i quajmë çaste Makiaveliane sepse ishte “Princi” i  Niccolò Machiavelit, i shkruar më 1513, që lëvroi botën morale të politikës dhe caktoi se ku ndahet ndërgjegjja personale me nevojat e veprimeve publike.

    Sinqeriteti i kulluar i “Princit” ishte një skandal i vërtetë për 500 vjet. Libri u përfshi në Indeksin Papal të librave të ndaluar në vitin 1559 dhe autori i tij u etiketua nga qarqet elizabetiane të Londrës si “Makiaveli i Lig”. Një ndër teoricienët më të mirë konservatorë, Leo Strauss, u mësoi studentëve të tij në Universitetin e Çikagos në vitet 1950 që ta konsideronin Makiavelin si “mësues i së keqes”. Makiaveli është vazhdimisht provokues sepse thekson ashpër se në politikë veprat e liga pushojnë së qeni të tilla nëse interesi publik i bën ato të nevojshme.

    Përpjekje të zjarrta u bënë edhe në rastin e 500 vjetorit të shkrimit të librit për t’ia hequr thumbin këtij mesazhi të zymtë.  Katër libra të rinj argumentonin se për të kuptuar ndjenjën brutale të Makiavelit duhet të kemi parasysh kontekstin e shkrimit të librit: politikat dhe dhunën në Italinë mes viteve 1498, kur ai mori një post zyrtar në Firence, dhe 1527, vit në të cilin vdiq.

    Këta autorë janë përpjekur të argumentojnë se “Makiaveli i Lig” në të vërtetë ishte një shkrimtar i shkëlqyer, një shok për kokë dhe një patriot plot pasion. Të gjithë theksojnë se angazhimi i tij etik kishte për qëllim ruajtjen e mendimit “vivere libero”, pra jetës së lirë në qytet-shtetin e Firences dhe rajoneve të tjera të Italisë.

    Të gjitha këto studime interesante e kthejnë Makiavelin pas në kohën e tij, por nuk heqin dorë nga kërkimi i përgjigjes për pyetjen se përse “entuziazmi dhe prirjet e tij amorale” (frazë e Alan Ryan kjo), mbeten shumë provokuese edhe në kohën tonë. Vështirë të besohet se Makiaveli ka qenë teoricieni i parë që tha se politika është një biznes i pamëshirshëm, që i kërkon udhëheqësve të bëjnë gjëra të cilat ndërgjegjja e tyre personale mund t’i urrejë. Mund ta themi me siguri se politika është një prej atyre fushave të jetës ku njeriu vë shpirtin e tij në rrezik.

    Ajo që mund të quajmë tronditëse për Makiavelin është se atij nuk i bëhej vonë për këtë. Besonte jo vetëm se politikanët duhet të bëjnë veprime të këqija në të mirën publike, por për më shumë as nuk duhet të shqetësohen për këtë. Pra e thënë ndryshe, nuk e vriste mendjen për atë që teoricienët modernë e quajnë “problemi i duarve të ndyra”.

    Filozofi i Princeton, Michael Walzer, duke huazuar idenë nga Jean-Paul Sartre, e përshkruan ndjesinë e duarve të ndyra në politikë si ndërgjegjen fajtore me të cilën politikanët duhet të jetojnë. Sipas Walzer, ne duam politikanë që janë shërbyes të vuajtur, që rrinë gjithë natën zgjuar të stërmunduar nga konflikti mes moralit personal dhe të mirës publike.

    Makiaveli besonte se politikanët nuk duhet të shqetësohen për duart e tyre të ndyra. Ai nuk besonte se meritonin lavdërime për moralin apo brejtjen e ndërgjegjes. Por vështirë se libri i tij “Princi” do të mbijetonte kaq gjatë nëse do të kishte qenë thjesht e vetëm një apologji për gangsterët. Tek këta të fundit, mizoria e pakufishme shpesh herë rezulton efikase, ndërsa në politikë, siç shkruante Makiaveli, është me keq se një krim. Është ragion di stato, arsyeja shtetërore, që duhet të disiplinojë çdo dalje të politikanit në hapësirën e diskutueshme të moralit. Një lider i orientuar nga interesi publik ka më pak të ngjarë të jetë mizor dhe i lig, se sa ai që udhëhiqet nga morali fetar. Makiaveli ishte krejt indiferent ndaj parimeve të krishtera, sepse në fund të fundit kush beson se ka Perëndinë në anën e vet është në gjendje të bëjë çdo gjë.

    Makiaveli argumentonte se kur merren vendime të vështira në politika, etika e krishterë apo ndjeshmëria morale thjesht nuk hyjnë në punë. Në politikë ylli polar duhet të jetë vetëm shëndeti i republikës. Të ndjekësh zërin e brendshëm të dyzuar apo të bësh para-prapa prej moralistëve kundërshtues është vetëm një dobësi. Nëse hezitimi i liderit e vë republikën në rrezik, kjo përbën një dobësi të përbuzshme. Etika e Makiavelit vlerëson vendosmërinë dhe jo kërkimin e dëshpëruar të moralit.

    Makiaveli refuzon të vlerësojë faktin se njerëzit duan më shumë ndërgjegjen dhe shpirtin e tyre se sa interesat e përgjithshme të shtetit. Ajo ç’ka Makiaveli nuk fal është pavendosmëria publike. Duhet të zgjedhim udhëheqës që flenë krejt të qetë pasi marrin rreziqe të mëdha përtej virtyteve të tyre. Ata po bëjnë atë që duhet bërë./Shqipëruar nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al, marrë me shkurtime nga “The Atlantic”.