Aktualitet Te gjitha

Policia, plan të veçantë masash për të parandaluar aksidentet për festat e fundvitit


Policia Rrugore e Tiranës ka përgatitur një plan të veçantë masash që pritet të sjellin ulje të numrit të aksidenteve që ndodhin zakonisht gjatë festave të fundvitit.

Burime nga Policia thanë se paralajmërohen masa të ashpra për ata që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit, kryesisht për ata që i japin makinës nën efektin e alkoolit dhe ata që lëvizin me shpejtësi tej normave të lejuara.

Policia thotë se në këtë drejtim do të ketë tolerancë zero. Një plan i ngjashëm masash u zbatua edhe gjatë muajit nëntor dhe rezultoi pozitiv sa i përket parandalimit të aksidenteve. Gjatë muajit që kaloi, në territorin e Tiranës nuk ndodhi asnjë aksident me pasojë vdekjen. Kontrollet me radarë në autostradë, por edhe prova e testit të alkoolit me drager në rrugët kryesore të kryeqytetit, pati një impakt pozitiv në këtë drejtim. Duke krahasuar statistikat me nëntorin e vitit 2017, ku humbën jetën 11 persona në aksidentet automobilistike, një muaj i mbyllur pa viktima këtë vit, shihet si një sukses në punën e Policisë Rrugore të Tiranës.