Aktualitet

Policia e Durrësit përgënjeshtron Berishën: Nuk kemi fshehur asnjë ngjarje

Përmes një denoncimi, ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar policinë se ka fshehur kallëzimin për përdhunim të një vajze nga djali i deputetit të PS-së.

Berisha ka publikuar denoncimin në FB ku shkruan se djalin e deputetit të PS-së, Rrahman Rrahja, ka dhunuar një vajzë, dhe kjo ngjarje është fshehur nga policia.

Menjëherë pas këtij denoncimi ka reaguar policia e Durrësit e cila bën të ditur se nuk ka pasur asnjë fshehje të ngjarjes.

Sqarimi i Policisë së Durrësit

Në lidhje me një status të publikuar në rrjetin social nga ana e Z.Berisha duke pretenduar se Komisariati i Policisë Krujë ka fshehur një ngjarje sqarojmë se: Më datë 21.07.2018 shtetasja Xh.M. 25 vjeçe, banuese në Krujë ka bërë kallëzim në Komisariatin Nr.3 të Policisë Tiranë se e kërcënonte shtetasi R.Rr. 24 vjeç, banues në Krujë. Në vijim i është marrë deklarim nga ana e Oficerëve të Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Policisë Krujë shtetases së mësipërme dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Krujë duke vlerësuar të gjithë elementët e ngjarjes janë referuar materialet në Prokurori në ngarkim të shtetasit R.Rr.

Për shkak se çështja është në hetim nuk japim më shumë detaje. SHÇBA është duke verifikuar nëse rasti në fjalë ka pasur ndonjë shkelje flagrante. Ngjarja e mësipërme nuk është fshehur nga ana e policisë Krujë, pasi është publikuar në faqen Zyrtare të Policisë së Shtetit (dt.22.07.2018).

*Ky post u realizua nga Eljona Ballhysa. Lajmi i referohet njoftimit të Policisë së Durrësit. Copyright Tiranapost.al.