Aktualitet Te gjitha

Policia alarm: Moti do përkeqësohet, për ndihmë telefononi këtu


Policia e Shtetit thekson se nga informacionet e marra nga shërbimi meteorologjik, pritet që moti të përkeqësohet. Për këtë arsye policia është vënë në gatishmëri.

Të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë të kontaktojnë policinë në këto dy numra: 112 e 129.

Më poshtë një pjesë e njoftimi të policisë:

Punonjësit e Policisë Rrugore në shërbim, po monitorojnë situatën dhe trafikun në akset rrugore të Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Fierit e Shkodrës ku prania e reshjeve është më intensive.

Mjetet e shërbimit të Policisë Rrugore do të jenë në lëvizje të vazhdueshme dhe në raste të veçanta do të përdorin edhe mjetet e sinjalizimit shtesë, gjatë patrullimit në të gjitha akset rrugore, duke u tërhequr vëmendjen përdoruesve të rrugës, të zbatojnë normat e sjelljes në rrugë.

Policia Rrugore po bashkëpunon me entet pronare të rrugës dhe nënkontraktorët për vënien në gatishmëri të mjeteve për mirëmbajtjen e rrugëve dhe dhënien e ndihmës në rrugë.

Policia Rrugore me patrullat e saj, porosit që në zonat ku mund të bien reshje dëbore, mjetet rrugore të jenë të pajisura me zinxhirë për qarkullimin në rastet kur rruga është e mbuluar me dëborë dhe ka prani të akullit në sipërfaqen e rrugës.

Në ndihmë të Policisë Rrugore në akset ku ka më shumë prezencë të reshjeve, janë edhe Patrullat e Përgjithshme të Komisariateve të Policive përkatëse.

Në gatishmëri në rast nevoje janë edhe disa grupe të FNSH-së Shkodër, Tiranë dhe Fier.