Aktualitet

Polici i FNSH i dehur, futet me Benz në oborrin e shtëpisë së një qytetari dhe e plagos

Polici i FNSH i dehur, futet me Benz në oborrin e shtëpisë

Një ngjarje aspak e pazakontë ka ndodhur një qytetin e Fierit. Një polic i dehur është futur me makinë brenda oborrit të shtëpisë së një qytetari dhe në debat e sipër e ka plagosur në dorë.

Për ngjarjen e ndodhur në lagjen Sheq i Madh, policia ka publikuar një njoftim ku bën me dije se efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Paulin Shpani e ka plagosur në gishtin e dorës 70 vjeçarin, i cili nuk ka asnjë rrezik për jetën.  Ai është shoqëruar në polici dhe nga SHÇBA po kryhen veprimet proceduriale dhe hetimore.

Njoftimi i plotë si më poshtë: 

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi P. Sh, 41 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë punonjës policie në repartin e FNSH Fier, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip ‘Benz’, në lagjen ‘Sheq i Madh’, ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe është futur në oborrin e banesës së shtetasit S.M., 70 vjeç. Pasi është konfliktuar me pronarin e shtëpisë, ka nxjerrë armën dhe e ka plagosur në gishtin e dorës shtetasin S.M, i cili është jashtë rrezikut për jetën.

Është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier shtetasi P.Sh. dhe po kryhen nga SHÇBA veprimet procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes./ Tiranapost.al.