Aktualitet

Policët dalin të mbjellin pemë

Edhe punonjësit e Policisë Bashkiake i janë bashkuar aksionit për mbjelljen e pemëve. Ata dhuruan drurë dekorative të llojit “Lojfatë”, e njohur ndryshe edhe si “Pema e Dashurisë”. Në mbjelljen e 80 fidanëve në lulishten “Qemal Stafa” ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai vlerësoi efektivët e polivisë të cilët krahas shërbimit të përditshëm ndaj komunitetit, tregojnë se së pari, janë edhe qytetarë të mirë.

Lulishtja “Qemal Stafa” është tashmë një hapësirë e gjelbër në qendrën e Tiranës, vend ku kalon kohën e lirë çdo grupmoshë, sidomos fëmijët, të cilët luajnë edhe te këndi i lojërave aty.

“Dua të kujtoj që vetëm para dy vjet e gjysmë, kjo ishte e gjitha një hapësirë e paaksesueshme, e rrethuar me gardh dhe ferra. Sot është e hapur dhe i ka dhuruar Tiranës një xhevahir në mes të bulevardit. Kështu që, le të kujtojmë se sa rrugë kemi bërë, por ama të pranojmë që kemi ende shumë rrugë për të bërë, derisa të kemi Tiranën e ëndrrave”, tha Veliaj. /Tiranapost.al