Aktualitet

Polemika e ndezur e Kosovës

Një polemikë mjaft intensive dhe e ndezur po zhvillohet këto ditë në Kosovë në gazetën Express mes Blerim Latifit, profesor i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës dhe këshilltar i kreut të PDK dhe Elvis Hoxhës, anëtar kryesie i Vetëvendosjes dhe njëherësh pedagog filozofie në UT dhe Akademinë e Filmit Marubi.

Në nëntë shkrime mes tyre është shtjelluar një përplasje idesh që nisi mbi atë çka përfaqëson ideologjikisht Vetëvendosja, sa koherente dhe e dobishme është ajo për Kosovën dhe të ardhmen e të rinjve. Por dy replikuesit kanë trajtuar imtësisht më pas tema të filozofisë politike, interpretime mbi filozofë të shumtë, duke dhënë një kontribut për thellimin e mendimit politik shqiptar në filozofi.

Blerim Latifi, profesor i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës dhe këshilltar i kreut të PDK, Kadri Veseli, në vijim të debatit me mbështetësin e Vetëvendosjes dhe profesorin e filozofisë, Elvis Hoxha, shprehet në një intervistë për MAPO se “shqiptarët andej dhe këndej kanë nevojë për debate të thelluara dhe racionale në fushën e filozofisë politike, sepse filozofia politike ka në epiqendër të saj problemin e drejtësisë dhe atë të lirisë”. Sipas tij, këtë rol edukativ për lirinë, filozofia mund ta performojë vetëm kur lufton sëmundjet e saj të vjetra, dogmatizmin, monizmin dhe rënien në vulgaritetin ideologjik.

Keni polemizuar me një prej mbështetësve te Vetëvendosjes, Elvis Hoxha. Si veprim e dimë, por si filozofi ç’përfaqëson sipas jush Vetëvendosja!

Në polemiken time me z. Hoxha kam theksuar se sot në shoqërinë kosovare të rinjtë ballafaqohen me një treg ideologjik, në të cilin kanë tendencë të dominojnë ato që unë i kam quajtur “produkte ideologjike të skaduara”. Me këtë kam pasur parasysh ideologjinë salafiste, e cila ka arritur të manipulojë një masë të madhe të rinjsh kosovarë, një numër i konsiderueshëm i të cilëve edhe kanë përfunduar në radhët e ISIS-it dhe ofertën ideologjike të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë të fundit gjejmë një sallatë ideologjike të komponuar nga elemente të marksizmit ortodoks, që ne e njohim si marksizëm-leninizëm, dhe elemente të atij që në teorinë e ideologjive njihet si nacionalizëm i majtë. Ky lloj nacionalizmi ka qenë tipik për vendet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine gjatë kohës së dekolonizimit. Në këtë lloj nacionalizmi lufta për çlirim kombëtar ngatërrohet me përplasjet e brendshme klasore. Dy elementet themelore të këtij nacionalizmi janë ideja e Vetëvendosjes së popujve dhe sentimenti anti-imperialist dhe të dyja këto elemente i gjejmë sot në diskursin ideologjik të Vetëvendosjes. Mirëpo problemi fillon pikërisht këtu, sepse aplikimi i skemës së vjetër të nacionalizmit majtist në kontekstin e Kosovës e ka shtyrë Vetëvendosjen në qëndrime të nihilizmit politik. Kjo ka rezultuar me politikën e krerëve të saj për pengimin e proceseve historike të Kosovës nga Rambujeja deri në shpalljen e pavarësisë me 2008 dhe më pas. Të gjitha këto procese janë udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tentativa e Vetëvendosjes për t’i penguar ato shpjegohet me bindjen e tyre ideologjike se Shtetet e Bashkuara të Amerikës si fuqi imperaliste nuk mund të jenë në anën e drejtësisë për popujt e shtypur. Këtu qëndron shpjegimi edhe për krizën e shkaktuar nga Vetëvendosja për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe atë të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Të dyja marrëveshjet ndërkombëtare të arritura për këto çështje kanë qenë të suportuara plotësisht nga qeveria amerikane, por Vetëvendosja me dhunën e saj arriti të bllokoj ratifikimin e tyre, sepse sipas logjikës së tyre ideologjike Amerikës nuk duhet t’i besojmë. Pozicioni amerikan në çështjet e politikës kosovare për gjithë këto vite ka qenë një vijë e kuqe të cilën askush asnjëherë nuk e ka kaluar, ndërsa Vetëvendosja me nacionalizmin e saj të majtë ka arritur ta devalvojë këtë pozicion dhe sot jemi në situatën ku askush nuk çan kokën se çfarë mendojnë amerikanët për problemet tona, ndërsa shteti është praktikisht i bllokuar. Kjo do të ishte ndoshta normale në kushtet e një shteti të stabilizuar, por në kushtet kur Kosova ende është shtet i papërfunduar dhe krejtësisht i varur nga suporti amerikan, një sjellje e tillë mbart një potencial tejet të rrezikshëm për të kthyer gjithçka në pikën zero.

Nacional-Marksistë, a mund të etiketohen kështu përfaqësuesit e Vetëvendosjes, apo këtu ka kontradiktë sërish?

Ideologjitë rëndom nuk janë sisteme koherente mendimi. Kjo hetohet edhe tek ideologjia e Vetëvendosjes. Aty i gjejmë të bashkuara pothuajse të gjitha rrymat: të burgosurit politikë të Kosovës, që kryesisht janë me bindje enveriste, ish-aktivistët e Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila po ashtu është karakterizuar nga enverizmi, gjeneratat e reja të familjeve të nomenklaturës komuniste jugosllave, ish-aktivistë të shoqërisë civile, ekspertë të ish-mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë që kanë mbetur pa punë. Pra, kemi të bëjmë me një bashkim të çuditshëm nën çatinë e të cilit bashkëjetojnë enveristët me titistët, liberalët e dikurshëm të shoqërisë civile dhe ish-profiterët e protektoratit ndërkombëtar. Kjo është kontradikta brenda Vetëvendosjes, e cila nuk shpërthen për aq kohë sa ushqehet me urrejtjen e përbashkët për PDK-në.

Filozofikisht pse ju shqetëson mendimi i “VV” dhe çfarë paraqet ajo për Kosovën në perspektivë?

Në fakt ajo që më ka shqetësuar është ekspozimi i të rinjve tanë, i studentëve tanë, ndaj një diskursi ideologjik të vjetruar e të diskredituar, siç është marksizëm-leninizmi. Ndihem keq, sigurisht, kur shoh studentë që i marrin seriozisht tekstet e Leninit, mendimet e Mao ce Dunit, frymëzohen nga jeta e Çe Guevarës, e mendojnë shoqërinë me konceptet e vjetra të luftës së klasave dhe ende besojnë se revolucioni komunist është një ide për të cilën ia vlen përkushtimi qoftë edhe vetëm shpirtëror. Kjo është për të ardhur keq dhe përgjegjësinë për këtë e ka tërësisht Vetëvendosja, e cila i ushqen militantët e saj me të tilla koncepte politike qartësisht të skaduara.

Ju akuzoheni si pjesë e establishmentit politik, këshilltar i Kadri Veselit. A e komprometon kjo pozicionin tuaj në debat?

Mendoj se duhet të fokusohemi tek argumentet që ofrojmë, jo te pozicioni institucional që mbajmë. Duke qenë pjesë e shtetit kjo nuk do të thotë se ke më pak të drejtë të flasësh dhe argumentet e tua vlejnë më pak. Shoqëria është interaksion pozicionesh, prandaj e vërteta mbi të ndërtohet pikërisht nga ndeshja e pozicioneve brenda këtij interaksioni. Të qëndrosh jashtë në emër të neutralitetit në shumë raste do të thotë të përfundosh në një pozicion nga i cili më shumë i paragjykon gjërat se sa i shikon objektivisht ato.

Po ashtu z. Elvis Hoxha ju akuzon si ‘filozof i palexuar’ apo interpretues i keq i filozofëve. A keni një përgjigje të të njëjtit nivel apo jeni duke polemizuar qoftë edhe në kuadrin e lirisë së fjalës me një filozof?

Ajo që kam vërejtur te reagimet e Elvisit është sëmundja e vjetër e mendimit monist, e cila thotë se ka vetëm një mënyrë të të lexuarit të gjërave dhe kjo është mënyra ime. Kjo sëmundje është e lidhur me atë që në filozofi njihet si egocentrizëm epistemologjik, sipas të cilit kush nuk mendon si unë ai nuk mendon fare, kush s’i pranon të vërtetat e mia, ai nuk e njeh të vërtetën, kush nuk i konfirmon dijet e mija ai është i pa ditur. Një qasje e tillë ego-dogmatike nuk i bën nder askujt që kërkon të influencojë debatin publik. Ajo është në kundërshtim edhe me vetë frymën e filozofisë, me atë që Huserl e quante intersubjektiviteti që themelon të vërtetën, apo siç e quan Habermasi “veprimi komunikativ” prej të cilit derivojmë zgjidhjet për problemet e drejtësisë dhe të vërtetës.

Është debati i parë filozofik në Prishtinë i këtyre përmasave. A ka nevojë mendimi politik shqiptar për një thellim filozofik në të dhe si mund të kapërcehet qoftë cektësia dhe qoftë populizmi?

Shqiptarët andej dhe këndej kanë nevojë për debate të thelluara dhe racionale në fushën e filozofisë politike, sepse filozofia politike ka në epiqendër të saj problemin e drejtësisë dhe atë të lirisë. Janë pikërisht këto dy vlera që i japin kuptim jetës sonë si individë dhe jetës sonë si pjesë e shoqërisë. Roli i filozofisë edhe te ne është ai që ka qenë gjithmonë, një formë e edukimit intelektual për lirinë, të cilën gjithmonë janë gati të na e cenojnë diskurset e tjera, qoftë ideologjitë politike që kërkojnë të jemi mbështetës të verbër të tyre, qoftë religjionet që aspirojnë pushtetin mbi ndjenjat tona. Natyrisht këtë rol edukativ për lirinë, filozofia mund ta performojë vetëm kur lufton sëmundjet e saj të vjetra, dogmatizmin, monizmin dhe rënien në vulgaritetin ideologjik. Kjo do të thotë një filozofi që heq dorë nga ideja se ka gjetur zgjidhjet përfundimtare, nga ideja se ka vetëm një rrugë për tek e vërteta, dhe nga ideja e zëvendësimit të kritikës për ideologjitë dhe religjionet me shndërrimin e saj në ideologji dhe religjion./Marrë nga MAPO me leje të Editorit.