Art & KulturëTe gjithaTIP top

Po vjen “Giffoni”. Dhe nuk do shohim vetëm filma. Lajme fantastike për të rinjtë e Shqipërisë


Fundi i nëntorit do mbledhë fëmijët dhe të rinjtë në kinema, sepse vjen festivali “Giffoni” për të 12-ën herë, në 20-24 nëntor. 8 filma, mes të cilëve 4 shqiptarë, do bëhen edhe këtë vit objekt diskutimesh mes atij grupi që ne u japim gjithë vitin vetëm filma për të rritur, pa menduar kurrë për të prodhuar ushqim për moshën e tyre. “Giffoni” sjell jo vetëm filma. Këtë vit sjell edhe lajme shumë të mira për të rinjtë shqiptarë. Në konferencën e sotshme për shtyp, drejtori i “Giffoni Shqipëria”, Namik Ajazi dhe drejtori i “Giffoni Film Festival” Claudio Gubitosi, sollën një listë me mundësi të arta për të rinjtë e Shqipërisë, që do të vijnë si pasojë e një ndryshimi shumë të madh që po ndodh tek “Giffoni”. Gjatë viteve 2018, 2019, 2020, një tjetër filozofi do të përqafohet prej “Giffonit”, që mbush 50 vjeç.

Gjate konferences se sotme per shtyp, Claudi Gubitosi dhe Namik Ajazi

Siç u shpreh edhe Namik Ajazi, “Ky është viti i fundit i “Giffoni”-t ashtu siç ne e kemi parë për 12 vjet. Ky vit do t’i paraprijë një ndryshimi shumë të madh. Shqipëria e mbaroi misionin e njohjes së fëmijëve dhe të rinjve me kinemanë. Ne do të zgjerojmë gamën e atyre që kemi bërë deri më sot. Vitet 2018, 2019 dhe 2020 do të na çojnë drejt një “Giffoni” që do të prodhojë kienastët e ardhshëm që do të punojnë për kinemanë”.
Ndërkohë që drejtori i “Giffoni Film Festival” Claudio Gubitosi tregoi me detaje ndryshimet që do të vijnë si një mundësi shumë e mirë për të rinjtë shqiptarë, të cilët sidomos mundësi të tilla, këtu në Shqipëri i kanë më shumë sesa të kursyera.

“Në tre vitet e ardhshme “Giffoni” do të hyjë në një rrugë që do ta bëjë edhe më të fortë në raport me shoqërinë. Që prej “Giffoni”-t të gjithë të mund të shohin, kuptojnë dhe reagojnë për kuptimin e të rinjve gjatë kësaj periudhe historike. Objektivi im është që të punësoj të rinjtë nëpërmjet kinemasë, artit, kulturës, televizionit”,-tregoi Gubitosi.
Sidomos studentët e Universitetit të Arteve do jenë të privilegjuar nga “Giffoni”. Madje edhe studentët e Ekonomisë, marketingut, komunikimit. Sepse me ta do të formohet një grup që do favorizojë zhvillimin e shumë aktiviteteve në Tiranë dhe Shqipëri, duke u kthyer në një formë të vërtetë punësimi për të rinjtë. Që siç e shpjegoi Gubitosi do të kenë mundësinë që të shkojnë në Itali, do të marrin emrin Giffoners dhe aty do të kuptojnë mirë formën, idenë dhe filozofinë e “Giffoni”-t për ta aplikuar më pas në Shqipëri.

Televizionet dhe shtypi, te pranishem gjate konferences se sotme per shtyp te “Giffoni Shqiperia”

Ndërkaq në Shqipëri vjen edhe një platformë e re e quajtur “Mai Giffoni”. Të rinjtë nga të gjitha cepat e Shqipërisë, me anë të smartphoneve ose videokamerave, do të mund të realizojnë video prej 10 minutash mbi tema të ndryshme e të thjeshta, si shkolla ime, familja ime, vendi im. “Prej tyre ne do mund të kuptojmë më mirë dashurinë që ata kanë për Shqipërinë, shkollën, familjen. 10 historitë më interesante do bëhen filma me mbështetjen teknike, artistike dhe financiare të “Giffoni”-t”, rrëfeu Claudio Gubitosi planin tjetër për të rinjtë shqiptarë.

Por pas një viti, në 2018-ën, një tjetër strategji e “Giffonit” u mundëson të rinjve shqiptarë të arrijnë ambiciet e tyre. “Objektivi tjetër është të vendosim një fokus mbi gjithë punët e studentëve të shkollave të filmit dhe unë njoh shumë të rinj me potencialë të mëdha. Ne të “Giffoni Albania” duam t’u japim mundëisnë këtyre të rinjve që ata të njihen dhe të shprehin aftësitë e tyre. Këta të rinj do të jenë pjesë e festivalit Giffoni 2018 me 4 kurse prej 400 studentëve më të mirë, intrigues e ambiciozë”, tregoi më tej Claudio Gubitosi, duke theksuar se “Giffoni” ka ndër mend të qëndrojë gjatë në Shqipëri dhe të sjellë shanse të tilla për të rinjtë shqiptarë, sepse Giffoni nuk është vetëm java e festivalit. Çdo dy muaj duhet të bëhet diçka këtu në Shqipëri, nëse do vijë edhe mbështetja e institucioneve tona. “Talentet shqiptarë dua t’i marr në “Giffoni” në Itali e dua t’i specializoj sidomos në marketing. Nëse kemi një produkt të mirë, ai duhet të shitet të me gjuhë e komunikim modern”, përfundoi Claudo Gubitosi.
Para se të gjitha këto të ndodhin, kemi edhe një vit “Giffoni Shqipëria”, në datat 20-24 nëntor.