Te gjitha

Po, vërtet nuk kemi kohë t’i bëjmë të gjitha


Nëse jeni të fiksuar po aq sa edhe unë në menaxhimin e prioriteteve në jetë dhe ndonjëri prej jush mbase e di historinë e kavanozit me gurët, guralecet dhe rërën, ka një eksperiment që ia vlen ta rimarrim në konsideratë.

Stephen Covey ishte guruja i këtij eksperimenti.
Një mësues u tregon nxënësve të tij një kavanoz, disa gurë të mëdhenj, disa më të vegjël dhe rërë. Detyra e tyre ishte që t’i vendosnin të gjitha brenda në kavanoz. Nxënësit përpiqen fillimisht të vënë rërën dhe guralecët, por më pas ata e kuptojnë që për gurët e mëdhenj nuk ka vend në kavanoz.

Më pas mësuesi, u zbulon zgjidhjen: Në fillim është më mirë që të vendosim gurët e mëdhenj më pas guralecët dhe në fund rërën. Kjo për shkak se objektet më të vogla mund të vendosen në hapësirat e lëna nga ato më të mëdhatë.

Morali i historisë është se ne duhet së pari të merremi me çështjet e rëndësishme, në vendosjen e prioriteteve. Përndryshe nuk do të gjejmë kurrë kohën për të bërë gjithçka.

Ajo që askush nuk e thotë kurrë është se mësuesi i ka “mashtruar”. Ai e manipuloi eksperimentin duke sjellë vetëm disa gurë të mëdhenj, duke e ditur se ato do të futen në kavanoz. Por sot, për shumicën e njerëzve, problemi kryesor i menaxhimit të kohës nuk është dështimi për të përcaktuar prioritetet, por se gjërat e rëndësishme që duhen bërë janë shumë: të përpiqen të mbajnë një punë, të paguajnë qiranë, të jenë prindër të mirë, të gjejnë një minimum kënaqësie në jetë dhe kështu me radhë. Me fjalë të tjera, kemi shumë gurë. Dhe shumë prej tyre kurrë nuk do të hyjnë në atë kavanoz.

Teksa lexoja “Punët më të vështira në botë” një ese e shkëlqyer e John Dickerson ku argumenton se të qenit president i SHBA-së është një nga detyrat më të pamundura m’u kujtua eksperimenti me kavanozin dhe gurët.

Të fiksuar pas falsitetit të përfaqësuesit aktual të Shtëpisë së Bardhë, ne rrezikojmë të harrojmë angazhimin që kërkon ajo zyrë, duke menaxhuar miliona të punësuar, duke vendosur për çështjet e jetës dhe vdekjes duke kapërcyer bllokadat e imponuara nga opozita, duke kërcyer nga një ceremoni në tjetrën dhe duke u përpjekur të menaxhojnë emocionet e një populli, ndoshta kjo shkon përtej aftësive të çdo njeriu. Ndoshta kemi arritur pikën ku ai që provon nuk i kupton limitet e tij.

Kur rregullat e lojës e bëjnë të pamundur fitoren, zgjidhja e vetme është të ndryshojmë rregullat.

Asnjëri prej jush nuk është president, por kjo nuk do të thotë që ajo që bëni është e pamundur. Ndoshta nuk mund t’i plotësoni kërkesat e shefit tuaj me burimet që keni; ndoshta ju nuk mund të jeni bashkëshorti apo prindi që dëshironi, në punën që dëshironi; ndoshta nuk ka zgjedhje të jetës që mund t’ju japin ndjenjën e përmbushjes së pritshmërive të familjes suaj dhe në të njëjtën kohë të qenurit në paqe me veten.

Nuk ka një parim sipas të cilit duhet të jeni në gjendje të kryeni të gjitha rolet që mendoni se duhet t’i bëni. Dhe kur rregullat e lojës e bëjnë të pamundur fitoren, zgjidhja e vetme është të ndryshohen këto rregulla.

Për Dickerson, kjo do të thotë ndryshim rrënjësor i detyrave të presidentit. Për ne njerëzit e thjeshtë kjo do të thotë të sakrifikojmë diçka: të vendosim se çfarë jemi të gatshëm të lëmë, për të bërë atë që është më e rëndësishmja. Sepse një gjë është e sigurt: Nuk mund ta zgjerojmë kavanozin.

Këshillë

Libri ‘Deep Work’ I Cal Neëport tregon një mënyrë krejtësisht të ndryshme për të gjetur kohën për gjërat më të rëndësishme dhe për të pranuar realitetin e ashpër që nuk mund të bëjmë gjithçka.

*Kjo është një rubrikë e internazionale.it, nga gazetari britanik Oliver Burkeman./Tiranapost.al

Na kontaktoni: 0684084690 /email: [email protected]