• Shqip
  • English
  • E hënë, 24 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Kontribues Ta thotë doktoreshë Silva Të gjitha TIP top

    Po unë kujdesem për lëkurën, pse po rrudhem si mami?


    Përshëndetje Dr. Silvana. Kam një problem me lëkurën që më mundon prej kohësh! Nëna ime është rrudhur herët, edhe pse është kujdesur për fytyrën e saj. Por njëlloj si gjyshja ime, rrudhat përreth syve i kanë treguar përherë shumë më të mëdha nga sa janë. Unë jam 25 vjeç. E kam filluar kremin kundër rrudhave por shoh se ato kanë filluar të shfaqen gjithsesi. Çfarë mund të bëj për t’i parandaluar? Të paktën të fillojnë pas të 30-ave. A mos ndoshta e kam të humbur luftën me genet?

    Përgjigje nga Dr. Silvana Mishtaku

    Dermoestetika në kohët e sotme është në revolucion të vazhdueshëm, ndaj asnjë luftë s’është e humbur (sidomos kur je 25 vjeç!!!). Me kalimin e viteve (plakja kronologjike) lëkura humbet freskinë, shfaqen rrudhat përreth përreth syve, gojës, elasticiteti i lëkurës bie dhe shfaqen njollat e moshës kryesisht në fytyrë, qafë, dekolte e duar. Ndërsa një pjesë e faktorëve janë natyralë e të pashmangshëm (lum kush i ka “genet e mira”), shumë faktorë të tjerë të jashtëm që kontribuojnë në të e që mund të kontrollohen nga ne. Ndër këto duhet të përmendim regjimin ushqimor dhe gjumin, pastrimin dhe procedurat mirëmbajtëse të fytyrës, ndërhyrjet dermoestetike, kushtet klimatike ku jetojmë e në mënyrë të veçantë te ekspozimi në diell.

     Plakja e lëkurës nga dielli (fotoplakja) vjen si rezultat i ekspozimit të zgjatur e të vazhdueshëm ndaj rrezatimit ultraviolet dhe është kontribuesi kryesor i plakjes. Janë rrezet UVA përgjegjëse për dëmtimin e prodhimit të kolagjenit dhe fibrave të elastinës si dhe për formimin e njollave kafe në sipërfaqe të lëkurës. Mënyra më e mirë për të luftuar fotoplakjen është parandalimi. Kjo realizohet duke përdorur krem me filtër mbrojtës dhe kufuzuar ekspozimin në diell në oraret e pikut të rrezatimit UV.

    Një tjetër pikë në të cilën dua të ndalem, janë rrudhat e mimikës (përreth syve, gojës, vijat e buzëqeshjes), të cilat mund të shfaqen që në moshë të re e për të cilat nuk duhen pritur të 30t-at apo të 40-at, por duhen trajtuar sapo ato shfaqen për të parandaluar theksimin dhe instalimin e tyre edhe në gjendje qetësie (përvecse duken gjatë lëvizjeve e shprehive të fytyrës). Për parandalimin e rrudhave të mimikës na vijnë në ndihmë trajtime dermoestetike si botoks, injeksione me acid hialuronik apo injeksione me vitamina, të cilat kur realizohen në mënyrën e duhur dhe specialistët e fushës ndihmojnë në ushqyerjen e thellë të lëkurës e ngadalësojnë procesin e plakjes pa humbur pamjen natyrale të fytyrës/Tiranapost.al